Tetori Gjerman 2022

Megi Daci
03/10/2022

Për të 16-tën herë radhazi, edhe këtë vit në Shqipëri do të zhvillohen javët gjermano-shqiptare të kulturës, në kuadër të Tetorit Gjerman 2022. Ambasada Gjermane në Tiranë, njoftoi sot për kalendarin e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të Tetorit Gjerman 2022, që nis më 29 tetor.

“Së bashku me partnerë të shumtë organizojmë tashmë për të 16-in vit radhazi Javët e Kulturës Gjermano-Shqiptare”, njoftoi Ambasada Gjermane.

Këtë vit Tetorin Gjerman e kemi vendosur nën moton “Përndritje“. Në këtë mënyrë dëshirojmë të hedhim dritë mbi aspekte të ndryshme të kulturës së vendeve tona dhe të sjellim në “dritën” e skenës artistë dhe projekte kulturore gjermano-shqiptare.

Ndërsa deri në fund të tetorit do të zhvillohet një program i larmishëm aktivitetesh në Tiranë dhe në qytete të tjera të Shqipërisë, që përfshijnë veprimtari për prezantimin e librave, performanca kërcimi, filma artisti, ekspozita fotografike, shfaqe teatrale e lexim letrar.

Momentum

MOMENTUM bashkon kërcimtarët dhe spektatorët, përmes ndjenjës së lëvizjes në një hapësirë të përbashkët. Kërcimtarët dhe spektatorët marrin energjinë dhe lodhjen në rritje dhe e kthejnë atë në momentin themelor të produksionit. MOMENTUM shqyrton lidhjet, ngjashmëritë dhe zonat e ndërmjetme të lëvizjes dhe axhitimit.

Me mbështetjen e Goethe-Zentrum Tirana, CocoonDance Company, Tirana International Festival, Agjencia Kombëtare e Diasporës, Teatri i Operas dhe Baletit, MUZA. Hyrja e lirë!

Letërsia Gjermane në Shqip

Përkthyeset Marsela Likaj, Anna Kove dhe studiuesja Anila Mullahi, nën moderimin e Anxhela Lepurit, do të diskutojnë rreth letërsisë gjermane të përkthyer në shqip, përkthimeve të kësaj letërsie në periodikë të viteve ’20-’40, nivelin e njohjes së letërsisë dhe gjuhës nga studiuesit, përkthyesit, si dhe lexuesit shqiptarë.
Një vëmendje e veçantë në diskutim do t’i kushtohet shkrimtares Herta Müller dhe letërsinë së saj, letërsi e cila rrëfen tmerret e diktaturës, ndjenjën mizore të spiunimit të vazhdueshëm dhe mungesën e lirisë së shprehjes, frikën për të lëvizur, për të folur, për t’i besuar njëri-tjetrit. Në romanet e saj, përveç prapambetjes së shoqërisë rumune, një vështrim i veçantë i kushtohet gjendjes së grave dhe jetës së tyre në fabrikë. Po ashtu do të diskutohet edhe për autorët gjermanë që janë botuar rishtazi në gjuhën shqipe, si Hermann Hesse, Petter Stamm, Franz Kafka etj.

Ky aktivitet organizohet nga Ministra e Kultures.

Filmi: “Into the Beat – Dein Herz tanzt”

Ëndrra e madhe e balerinës jashtëzakonisht të talentuar Katya është të studiojë me anë të një burse në Akademinë e Baletit të Nju Jorkut. Plot energji, ajo përgatitet për audicionin dhe shanset e saj duken mjaft të mira. Por ajo takon një grup kërcimtarësh në rrugë – dhe ndez këtë formë kërcimi që nuk e ka njohur kurrë më parë: e lirë nga rregullat, plot pasion dhe emocione. Përveç kësaj, ajo dashurohet me balerinin e ndrojtur të hip-hopit Marlon. Bashkë me të ajo dëshiron të marrë pjesë në një audicion të trupës së kërcimit të rrugës me famë botërore Sonic Tigers. Rikthimi në botën strikte të baletit i duket asaj e pamundur. Por për këtë, së pari ajo duhet të bindë babanë e saj Victor – një balerin i famshëm, për të cilin karriera e vajzës së tij ka qenë prej kohësh e qartë.

Ky aktivitet organizohet nga Ministra e Kultures dhe mbeshtetet nga Goethe-Zentrum Tirana dhe Ambasada Gjermane. (versioni origjinal në gjermanisht me titra në shqip). Hyrja e lirë!

Lexim letrar “Secili çmendet simbas mënyrës së vet”

Romani i autorit Stefan Çapaliku “Secili çmendet simbas mënyrës së vet” trajton njëzet vitet e fundit të sistemit komunist në Shqipëri. Historia nis në vitin 1967, kur Shqipëria u shpall shtet ateist dhe përfundon në vitin 1985 me vdekjen e të “Plotfuqishmit”, liderit të partisë dhe shtetit Enver Hoxha. Romani është botuar deri më tani në Francë, Itali, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari dhe së fundmi edhe në Gjermani.
Përkthyesja në gjermanisht e librit, Zuzana Finger, do të ndajë përvojën e saj të përkthimit dhe do të lexojë edhe disa pjesë në gjermanisht, duke alternuar me Stefan Çapalikun, i cili do të lexojë në shqip.

Ky aktivitet organizohet nga Goethe-Zentrum Tirana.

Ekspozitë fotografike “Mbetjet e Paranojës” nga Alfred Diebold

Ekzistojnë shumë histori dhe gojëdhëna për ato që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë kohës së regjimit komunist me Enver Hoxhën, veçanërisht në zonat ushtarake. Në Shqipëri ka vende, të cilat kurrë nuk kanë qenë të hapura për publikun. Ato vlejnë si dëshmi se si Shqipëria ishte e përgatitur të mbrohej kundër vendeve fqinje dhe NATO-s. Sot, këto objekte mbrohen nga ushtarë edhe pse nuk janë më të dobishme. Këto objekte janë ndërtuar pjesërisht me punë të detyruar.
Ekspozita tregon dhe përshkruan objektet nga perspektiva e sotme dhe në të njëjtën kohë jep një përshtypje se si ishte asokohe. Vendet dhe njerëzit që kanë shërbyer atje nuk duhet të mbesin në harresë.

Fotografitë: Alfred Diebold

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 5 nëntor 2022.
E hënë – e premte: 9:30 – 14:00 / 17:30 – 20:30
E shtunë: 17:30 – 20:30

Filmi: “Almanya, Mirësevini në Gjermani“

Komedia tregon historinë e Hüseyin Yilmaz, i cili në vitin 1964 vjen nga Turqia në Gjermani si punëtor i huaj. Ndërkohë ky vend i huaj është bërë atdheu i fëmijëve dhe nipërve të tij. Kur nipi i vogël nuk zgjidhet nga shokët as në ekipin gjerman e as në ekipin turk të futbollit, lind pyetja e identitetit: çfarë jam në të vërtetë, gjerman apo turk? Gjyshi Hüseyn është para marrjes së nënshtetësisë gjermane, kur i tregon familjes se ka blerë një shtëpi në Turqi dhe pret si nga fëmijët, ashtu dhe nga nipërit që të nisen bashkë me të për ta restauruar. Udhëtimi i përbashkët shpalos një dinamikë plot zënka, pajtime, surpriza dhe një kthesë tragjike. Në këtë histori familjare gazmore regjisorja ndërthur elemente të jetës së saj si mbesë emigrantësh, luan me klishetë dhe i vë gjermanët përpara pasqyrës.

Ky aktivitet organizohet nga Ministria e Kultures dhe mbeshtetet nga Goethe-Zentrum Tirana dhe Ambasada Gjermane. (versioni origjinal në gjermanisht me titra në shqip). Hyrja e lirë!

Shfaqja teatrale Informohem, pastaj firmos!”

Një kredi konsumatore, kushtet e së cilës nuk kuptohen siç duhet për shkak se prindërit nuk e lexojnë me kujdes kontratën, sjell kosto për të gjithë familjen, përfshirë fëmijët. Nëpërmjet një shfaqje teatrale të realizuar nga gjimnazistët e qytetit të Durrësit, të rinjtë mësojnë rëndësinë e informimit përpara se të nënshkruajnë një kredi.

Integrimi në BE është i një rëndësie thelbësore për Shqipërinë dhe përbën një nxitje të fortë për reformat në fushën e shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut si dhe një ekonomie tregu funksionale. Gjermania mbështet Shqipërinë në realizimin e aspiratave të saj për anëtarësim në BE.
Mbrojtja e konsumatorit është një element i rëndësishëm i tregut të përbashkët evropian. GIZ mbështet Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë të përafrojë legjislacionin kombëtar me atë të BE-së dhe të zbatojë standardet më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe të interesave ekonomikë të konsumatorit shqiptar.

Pjesë teatrale për publikun e gjerë.

Ambasada Gjermane njofton se programin e plotë të aktiviteteve e gjeni në faqen e internetit: www.tetori-gjerman.com, në rrjetin social Facebook tek “Ambasada Gjermane Tiranë”. 

Më shumë