Shumë i vlerësuar por pak i njohur nga opinioni publik, Gucci zgjedh stilistin e ri!
Këtë vit bota e modës u shokua nga largimi i stilistit Alessandro Michele nga shtëpia e modës Gucci, një nga ikonat e modës italiane. Michele kishte drejtuar brandin nga viti 2015 deri në 2022, duke e shndërruar filozofinë e Guccit. Ai ndihmoi shpejt për të nxitur një periudhë rritjeje të fortë dhe rindezi entuziazmin rreth shtëpisë luksoze italiane të modës. Të ardhurat e Gucci-t pothuajse u trefishuan gjatë kohës së Michele-s në këtë rol.
Rikujtojmë, se për muaj të tërë industria e modës ka eksperimentuar për t’u përshtatur me realitetet e reja të tregut, NFT-të, metaverse dhe monedhat digjitale. Por edhe pse xhiro vjetore preku 10 miliardë eurot, pronari i Kering François Pinault e cilësoi si të pamjaftueshëm, duke dekretuar fundin e marrëdhënies.
Për Guccin flitej për emra të njohur si stilistja e Dior Maria Grazia Chiuri ose Jonathan Anderson i Loewe, por edhe njëherë Gucci zgjodhi një stilist të vlerësuar por pak të njohur nga opinioni publik.
Bëhet fjalë për napolitanin Sabato de Sarno, 39-vjeçarin që mbante postin e drejtorit të linjës “pret-a- porter” të Valentinos, pas një historiku të suksesshëm edhe me Prada dhe Dolce & Gabbana. Ndërkaq, ka kuriozitet për sfilatën e parë me emrin e tij, që pritet në sfilatën pranverë-verë 2024, që do të mbahet në shtator.