Uarda Koçi na sjell një vështim të eventit “Tirana Summit” dhe praninë e folësit Jordan Belfort!

Silvia Tabaku
22/02/2023

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte e ftuar Uarda Koçi, organizatorja e eventeve të ndryshme të muzikës dhe artit në vend. Së fundmi, ajo do të kujdeset për realizimin e eventit “Tirana Summit”, i cili do të mbahet për herë të parë në 24 shkurt. Ky event do të mirëpresë Jordan Belfort ose siç njihet ndryshe “The Wolf of Wall Street”. Ai është një folës motivues, autor dhe sipërmarrës i njohur në mbarë botën, me shumë njohuri dhe eksperienca për të ndarë me audiencën. E pyetur në lidhje me sjelljen e këtij eventi kaq të madh në Tiranë dhe suksesin e saj, Uarda u shpreh:

Këto vitet e fundit kemi arritur që të krijojmë projekte dhe të sjellim evente të tipologjive të ndryshme. Vjet kemi patur një eksperiencë në lidhje me trajnimet, ku folësit kryesorë kanë qenë personazhe shqiptarë, të parë në një vështim tjetër. Këtë vit, “Tirana Summit” vjen si arritje profesionale dhe personale.

Pjesëmarrja në “Tirana Summit”, jo vetëm që i dedikohet të mësuarit dhe rritjes profesionale, por gjithashtu ka të bëjë me investimin te vetja. Kjo është një mundësi sipas saj ku të gjithë janë të përfshirë, pavarësisht moshës, karrierës ose studimeve, ku secili mund të marrë pjesë. Në lidhje me ndarjen e kësaj eksperience me Jordan Belfort, ajo u shpreh:

Është një arritje fakti që kemi mundur të sjellim Jordan në Tiranë me turin e tij është mirë për kryeqytetin pasi grupi i targetuar, që e ndjek atë, do të jetë nga i gjithë rajoni. Tirana është i vetmi vend në rajon ku ai do të jetë. Është mirë për njohjen e vendit, kryeqytetit dhe figurën e tij.

Ajo ka dhënë një informatë në lidhje me zhvillimin e këtij aktiviteti, ku si më poshtë ka deklaruar:

Ne do të hapim dyert e Pallatit të Kongresit në orën 08:00, ku të gjithë pjesëmarrësit që kanë bileta do të futen brenda, derisa të bëhet akomodimi. Vendet janë të papërcaktuara. Ne do të kemi edhe përkthyes simultan përgjatë gjithë kohëzgjatjes së programit nga shqipja në anglisht dhe nga anglishtja në shqip. Do të nisë me një grup që do të bëjë energjizimin e të gjithëve në sallë. Më pas, fillojnë trajnimet me folësit Vasil Naçi, Avinash Ananda dhe Jordan Belfort.

Biletat sigurisht duhen rezervuar më parë dhe nuk duhet lënë për në momentin e fundit. Biletat mund të blihen online në Vivere, në pika shitjesh fizike ose në një biletari që do të hapet ditën e eventit në Pallatin e Kongreseve. Më tej, Uarda ka shtuar:

Ne kemi nisur shitjen e biletave “Early Bird” nga 39 euro dhe tani janë çmimet “Regular Price” duke nisur nga 69 euro, 109 euro dhe 139 euro, e cila është zona VIP ku kanë mundësi të bisedojnë edhe me Jordan. Biletat janë relativisht të lira krahasuar me çfarë ndodh në rajon dhe në botë për një ditë të plotë trajnimi dhe me një figurë të madhe botërore. Ne përshtatemi me ekonominë e vendit. Më shumë se sa një shpenzim është një investim, do të thoja unë.

Më shumë