Java Italiane e Kulturës, gara “Vrapo për Autizmin” në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës!

Silvia Tabaku
04/06/2023

Në Parkun e Liqenit Artificial në Tiranë, sot u zhvillua gara e vrapimit “Run for Autism” (Vrapo për Autizmin), kushtuar ndërgjegjësimit për autizmin. Në kuadër të Javës Italiane të Kulturës, aktiviteti u organizua nga Ambasada e Italisë në vendin tonë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se më shumë se çmimi, rëndësi ka kauza për të cilën garohet:

Nuk ka sot çmim të parë, të dytë, të tretë. Sot rëndësi ka që ta bëjmë garën, të marrim pjesë, të kuptojmë sa e rëndësishme është që t’i japim një dorë njëri-tjetrit. Asnjë njeri nuk ia del vetëm, të gjithë kemi nevojë për një dorë që na ndihmon, për një vesh që na dëgjon, për një mendje që logjikon me ne dhe për dikë që na jep zemër tërë kohës.

Kreu i Bashkisë, Veliaj shtoi se qëllimi i aktiviteteve të tilla është që t’u jepet të gjithëve një shans:

Na pëlqen që të gjithëve t’u japim një shans, pavarësisht se disa do të shkojnë në kampionat botëror e lojëra olimpike, ndërsa disa të tjerë duhet t’i fitojnë betejat e vogla përditë. Ne duam që federatat tona sportive të kenë të gjithë këtë mentalitet, t’i japim secilit një mundësi të përfshihet, të ndihet që është pjesë e këtij qyteti.

Një falenderim, kryebashkiaku Veliaj e kishte dhe për ambasadën italiane që për këtë vit, çeli siparin e Javës së Kulturës, në Tiranë:

Java Italiane e Kulturës është aktiviteti që kemi më shumë për zemër e që vërtet i kemi kushtuar shumë energji që të dalë sa më bukur dhe fëmijët, engjëjt tanë të mrekullueshëm, ta shijojnë jashtë mase. Jam shumë i lumtur sepse të gjitha ambasadat kanë javët e tyre të kulturës, por kryesisht javët e kulturës janë të promovojnë shtetin e tyre.

Ndërkaq, ambasadori italian në vendin tonë, Fabrizio Bucci theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes:

Eshtë një nga ato rastet ku e rëndësishme është të marrësh pjesë. Marr edhe unë pjesë e me siguri nuk do të arrij i pari në finish, por edhe të arrish i fundit është një kënaqësi e madhe.

Më shumë