Në shumë vite martesë mund të ndodhë që të kesh përplasje të vazhdueshme me partnerin. Po çfarë efekti kanë në shëndetin tonë, sidomos nëse zgjasin në kohë?
Një studim, i publikuar në revistën “Emotion”, ka mundur që ta zbulojë këtë. Çiftet që kanë marrë pjesë në studim, janë vëzhguar për 20 vite: më aktivët gjatë grindjeve kanë raportuar probleme me zemrën dhe tensionin, kurse ata që i fshihnin ndjenjat, kanë shfaqur probleme me muskulaturën dhe kockat, dhembje shpine dhe koke.
Shkencëtarët e Northwestern University kanë ndjekur 156 çifte që vinin nga e njëjta zonë e San Francisco-s për 20 vjet, duke nisur nga viti 1989. Gjatë vëzhgimit, ata janë testuar katër herë në laborator nga kërkuesit dhe u janë përgjigjur disa pyetjeve mbi ecurinë e marrëdhënies së tyre.
Gjatë diskutimeve, një kamera i filmonte, për të regjistruar emocionet si inatin, shqetësimin, ankthin. Pasi mblodhën të dhëna edhe për gjendjen shëndetësore, studiuesit dolën në përfundimin se burrat që nevrikoseshin shpesh, 80 % kishin probleme kardiovaskulare dhe nëse e mbanin gjithë inatin brenda, 40 % raportonin probleme me kockat. Ndërsa për gratë nuk u vë re i njëjti raport mes emocioneve dhe simptomave.
Edhe pse studimi është bërë për një kohë të gjatë, nuk ka asnjë provë të sigurt që vërteton që ato sëmundje janë zhvilluar detyrimisht nga konfliktet me partnerin. Mund të interpretohet edhe në të kundërt, kush ka këto probleme shëndetësore, mund të jetë më i prirur për t’u nevrikosur. Megjithatë, studimi tregon që marrëdhënia me personin që zgjedhim të ndajmë jetën, ka një ndikim të fortë në shëndetin tonë.