Aplikoni pudrën në fytyrën tuaj me sfungjer?! Hidhini një sy këtij artikulli dhe mendohuni më mirë herën tjetër!
Një nga veprimet e përditshme të bukurisë që mund të mos i keni kushtuar rëndësinë e duhur, është aplikimi i pudrës me sfungjer. Sfungjeri është bërë një mjet i domosdoshëm në çantën e çdo artisti grimi. Megjithatë, sfungjerët e bukurisë kërkojnë më shumë kujdes dhe higjienë.
Disa ekspertë kozmetike argumentojnë se pse nuk duhet të përdorësh sfungjerin për të aplikuar pudrën. Sfungjeri i grimit mund të jetë një prej terreneve më të mira për të mbledhur mikrobet, nëse nuk e lan siç duhet. Duhet që të pastrohet para çdo përdorimi. Në të kundërt, thjeshtë po rrezikon që mikrobet të përhapen në të gjithë fytyrën.
Sfungjerët, përgjithësisht janë të vështirë për t’u larë dhe për t’u sterilizuar. Por ki parasysh se kanë edhe një limit jetëgjatësie, maksimumi mund të zgjasë për rreth 2 ose 3 muaj. Nëse nuk e pastron sfungjerin pas çdo përdorimi, ai nuk ka të njëjtin efekt me kalimin e kohës. Grimi i mbetur mund të shkaktojë më shumë vështirësi për pamjen, duke e bërë edhe produktin të vështirë për përzierje.
Megjithatë, nëse investon në një furçë të mirë grimi, mund të zgjasë edhe me vite. Nuk mund të përdorësh lehtësisht një sfungjer mbi të cilin janë përzier lloje të ndryshme produktesh grimi, sepse pamja do të jetë një gjë e ngatërruar. Dhe më e rëndësishmja, sfungjeri i grimit thith një sasi të madhe të pudrës. Kjo, kuptohet, është një humbje e madhe e produktit, veçanërisht nëse është nga markat më të shtrenjta.
Në mënyrë që të shpëtosh pudrën, deri në pikën e fundit, aplikoje me një furçë me mikrofiber. Është e qëndrueshme, të ndihmon për të mbuluar zonat që ke nevojë dhe është mjaft praktike. Pasi ta kesh përdorur furçën, mund të përdorësh më pas edhe sfungjerin.