“Tregimtari i madh”, vepra nga Arben Dedja që mbledh së bashku tregime që të çojnë drejt realitetit… ose ëndrrave!
Pas 4 veprash ku është vlerësuar edhe me çmim nga panairi i librit, shkrimtari Arben Dedja vjen para lexuesit me librin e tij më të ri “Tregimtari i madh”, ku tematikat që preken janë disa. Ai ka vënë së bashku tregime të zhanreve të ndryshme, për shembull një tregim fantastiko shkencor, një tregim historik. Një tregim fantastik, sipas përkufizimit të Teodorovit për fantastiken në letërsi.
Filli lidhës mes tregimeve është ideja e autorit për të qenë i ndryshëm nga një tekst në tjetrin. Temat e vjetra përsëriten, por jo deri në obsesion, ndërkohë që bëjnë udhë tregime historikë, fantastiko-shkencorë, fantastikë, surrealiste, auto-fiction, pa llogaritur disa forma letrare proze të shkurtër akoma më të guximshme. Saqë pyetja më me vend do të ishte: “A janë (të gjitha) tregime?”
Besoj kjo është fryma e përgjithshme, pritshmëria më instiktive për këtë libër. Mirëpo kësaj here nga autori ynë kemi një orvatje jo edhe aq të dështuar për të dalë nga kufijtë e tregimit, nga bota e ngushtë e gjithsecilit prej nesh, drejt një realiteti (apo ëndrre?) ngjyrashumë.
Nëntëmbëdhjetë tekste që mëtojnë të jenë të ndryshëm, madje të kundërt. Dhe shpesh e gjitha ndodh nën vështrimin e habitur të autorit, i tërhequr pa e ditur as vetë në një valle të marrë që do të desh të mos kishte fund kurrë. Ç’iluzion!