#VargFestival ndalon nesër në Kalanë e Porto Palermos. E ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena dhe është e rrethuar nga deti me një rrip të ngushtë që e nxjerr në tokë sot ajo është një pikë turistike, por në të gjitha historitë e saj askund nuk përmendet një fakt i mbetur në errësirë; kalaja ka funksionuar si kamp internimi në vitet 1949-1950. Pikërisht për shkak të pozicionit të izoluar, ajo u përzgjodh si vend vuajtjeje për kundërshtarët politikë të regjimit dhe familjet e tyre. Përbërja e të internuarve ishte: gra, fëmijë dhe burra të moshuar.
Të internuarit që u vendosën në Porto Palermo kaluan në një izolim të plotë. Kushtet në kamp ishin të mjerueshme pasi nuk ishte problem vetëm fjetja, por edhe uji i pijshëm. Ajo pak bukë qe konsumohej bëhej brenda kalasë. Asnjë lloj komunikimi nuk kishte me tokën. Rastësia shpëtoi të internuarit nga tmerri i këtij kampi. Një anije italiane, në rrezik mbytjeje, u ankorua pranë vendit të kampit. Duke kujtuar se një veprim i tillë mund të çonte në të ardhmen në “arratisjen” e të internuarve, në fundin e vitit 1950 kampi u mbyll.
Kjo histori është përzgjedhur për t’u bërë e njohur për publikun e gjerë pikërisht në Ditën e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit.
Autoriteti për Informim më herët ka bërë kërkime për këtë kamp në arkivën e tij dhe arkivën qendrore për të dhëna të këtij kampi. Rrëfimi i kësaj historie do të vijë përmes dokumenteve statistikore të arkivës së AIDSSH dëshmive të dhëna për Autoritetin nga të mbijetuar të atij kampi si ndër të vetmit që jetojnë akoma edhe sot që janë, z. Lek Pervizi, z. Lek Mirakaj z. Dine Dine, z. Bibjan Mirakaj dhe znj. Rudina (Dema) Mane.
Përmes dëshmive, poezive dhe ekspozitës së portreteve të disa prej personave që kanë vuajtur dënimin në Kalanë e Porto Palermos, të z. Lek Pervizi do të dalë në dritë ajo pjesë e pathënë për historinë e viteve 1949 -1950 kur kalaja shërbeu si kamp burg për gra, burra e fëmijë.
Nesër më 18.30 në Porto Palermo.