“K’cimi i Tropojës”, pjesë e listës së UNESCO-s!

Silvia Tabaku
09/12/2024

“K’cimi i Tropojës” është shpallur zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale ku shkroi se “K’cimi i Tropojës” ishte një trashëgimi e braktisur.

Rama shprehu edhe kënaqësinë e progresit të kësaj dekade për shpëtimin, rilindjen e promovimin e vlerave të kësaj trashëgimie deri dje të braktisur nën pluhurin e harresës.

Kjo ngjarje shënon moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe transmetimin brez pas brezi, por edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore përtej kufijve lokalë.

Formulari i kandidimit të dukurisë së Kcimit të Tropojës për “Representative List of Intangible Cultural Heritage of Humanity” u dorëzua në mars të vitit 2021, pra rreth 4 vjet më parë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i Shqipërisë, Blendi Gonxhja:

Pas vlerësimit pozitiv nga Organizmi i Vlerësimit të UNESCO-s, gjatë sesionit të 19-të të Komitetit Ndërqeveritar për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, në Asuncion, Paraguai, ‘K’cimi i Tropojës’ është tashmë pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit.

Më herët, nga Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave në Shqipëri kjo valle u shpall pjesë e listës së kryeveprave të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale. Me lëvizje ritmike, shoqërohet me tupan, çifteli e fyell ndërsa valltarët mbajnë veshje tradicionale dhe shami të kuqe ose të verdhë.

Po ashtu, xhubleta shqiptare, veshja katër mijë vjeçare është marrë nën mbrojtje Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë dy vjet më parë. Ky vendim do të ndihmojë për ta ruajtur mjeshtërinë e krijimit të saj brez pas brezi. Nga ana tjetër, tradita e shtegtimit të bagëtive apo “Transhumanca” u mor nën mbrojtje nga UNESCO një vit më parë. Si pjesë e listës së pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO, siç dihet janë edhe Butrinti, Berati e Gjirokastra, si dhe iso-polifonia.

Më shumë