Në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit, priten shumë surpriza për natën e ndërrimit të viteve, nga festivali i dritave, koncerti, ndërsa nuk do të mungojë as spektakli i fishekzjarreve.
Nënkryetari i Bashkisë Tiranë, Andi Seferi u shpreh se në skenën e koncertit në sheshin “Skënderbej”, numërimi mbrapsht në natën e ndërrimit të viteve do të bëhet nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
Po ashtu, punohet për të menaxhuar në mënyrën e duhur lëvizjen e mjeteve dhe të njerëzve.
Data 31 dhjetor po kthehet në një emblemë të kryeqytetit. Krahas festivitetit që krijon fshati në sheshin “Skënderbej” do të fillojë edhe koncerti i madh, me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Do të ketë spektakël fishekzjarrësh që do të jenë prezentë si gjithmonë. Numërimi i ndërrimit të viteve do të bëhet nga kryebashkiaku Veliaj.
Do të ketë një klimë shumë festive. Por duhet bërë edhe marrja e masave për të garantuar spektaklin. Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit po punojnë për një plan për të mirëmenaxhuar trafikun e automjeteve dhe lëvizjet e qytetarëve.
Qytetarët do të orientohen në pika të veçanta, por edhe automjetet që qarkullojnë përreth sheshit dhe rrugëve periferike. Vetëm nga ana e Policisë Bashkiake ka një prezencë prej mbi 100 efektivësh të shtuar.
Risi është festivali i dritave. Ndriçimi i fasadave i shoqëruar me muzikë do të ndodhë në mbrëmje prej orës 17:30 deri në 22:00.