2025 shënon fundin e ‘Gen Alpha’! Çfarë duhet të dimë për Gjeneratën Beta…

Silvia Tabaku
09/01/2025

Me fillimin e vitit 2025, njerëzimi do të përshëndesë edhe Gjeneratën Beta, brezin që pason Gjeneratën Alfa (2010-2024). Sipas demografit Mark McCrindle, ky brez do të përfshijë ata që lindin midis viteve 2025 dhe 2039. Parashikohet se deri në vitin 2035, Gjenerata Beta do të përbëjë rreth 16% të popullsisë globale, dhe shumë prej tyre pritet të jetojnë deri në shekullin e 22-të.

Një brez i teknologjisë së avancuar

Ashtu si brezat paraardhës, edhe Gjenerata Beta pritet të formësohet nga përparimet teknologjike. Ndërsa Millennial-ët përjetuan zhvillimin e internetit dhe Gjenerata Z e Alfa u rritën në epokën e pajisjeve digjitale, Gjenerata Beta do të rritet në një botë ku teknologjia është më e integruar se kurrë.

Ata do të jenë dëshmitarë të përdorimit masiv të teknologjive që do të bëhen pjesë standarde e jetës së përditshme. Gjenerata Beta do të përdorë teknologjinë për të adresuar sfidat e përditshme, duke treguar një varësi edhe më të madhe ndaj zgjidhjeve digjitale.

Sfidat dhe mundësitë e reja

Përveç zhvillimeve teknologjike, ky brez do të përballet me sfida globale si ndryshimet klimatike dhe transformimet sociale. Ata do të jenë më të vetëdijshëm për ndikimin e tyre mjedisor dhe më të përkushtuar për të gjetur zgjidhje për çështje që do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e tyre.

Kufizimet e kategorive të brezave

Megjithëse etiketimi sipas brezave është i dobishëm për të kuptuar tendencat dhe ndikimet shoqërore, ato shpesh mbeten të kufizuara. Sipas Pew Research Center, këto terma ndonjëherë përdoren më shumë për marketing sesa për analiza të sakta shkencore. Gjenerata Beta përfaqëson një kapitull të ri për njerëzimin.

Më shumë