Hodhi ‘hapat e parë’ në kinematografi me të, Nik Xhelilaj për Piro Milkanin: “Humbje e madhe, e kisha si ogur mbarësie…”

I ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë aktori i njohur Nik Xhelilaj. Në një intervistë mjaft të veçantë me Jonida Aliçkollin dhe Arbër Çepanin aktori ka zbuluar detaje nga jeta e tij, karriera, projektet që do të vijnë dhe sigurisht është ndalur edhe tek regjisori Piro Milkani, i cili ndërroi jetë më 24 Maj. Një prej figurave më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, me një karrierë të gjatë dhe kontribut të jashtëzakonshëm në artin e regjisurës.
Kontakti i parë i Nik Xhelilaj me kinematografinë ka qenë pikërisht me regjisorin Piro Milkani. Si e mori vesh lajmin për ndarjen e tij nga jeta?
Është e çuditshme se sa influencë kishte Piro edhe pse unë nuk ndodhem shpesh në Shqipëri, por flas për rrugëtimin artistik. E kisha si një ogur mbarësie, si tip hajmalie. Sa herë që isha këtu por edhe kur nuk isha më duhej që ta kontaktoja patjetër. Jo vetëm regjisor, por për mua ishte një humbje shpirtërore sepse kisha një marrëdhënie shumë prindërore në raport me artin. Një njeri i madh si në profesion por edhe nga ana njerëzore. Bëri diçka që kur e mendon sot të duket deri diku e pabesueshme.
Aktori shtoi gjithashtu:
T’i besosh një studenti pothuajse me zero eksperiencë përpara kinemasë një rol aq të rëndësishëm jo vetëm për Piron por edhe për kinemanë shqiptare, si një prej filmave të mirë, “Trishtimi i Zonjes Shnajder”. Kisha sigurisht një pikëllim edhe pse në një moshë të thyer të themi. E kishte natyrën e tij që nuk e besoje dot, sepse do të ishte gjithmonë aty me atë mirësinë, telefonatën dhe motivimin e tij.
Për mua është një humbje, e kam pasur gjithmonë si një nga tifozët, mbështetësit dhe suportuesit më të mëdhenj të punës sime. Si këtu por edhe jashtë.