“An Open Secret” Hapur për abuzimet seksuale brenda industrisë Hollywoodiane. Kritikë.

Ledion Liço
07/12/2021

Gjasat janë të heqësh sytë nga ekrani kur je duke parë “An Open Secret”. Shkaku? Historitë janë aq të forta dhe të dhimbshme sa të bëjnë të mbyllësh sy e vesh. Ky dokumentar e ka fuqinë për të shkaktuar të tilla reagime.

Me regji të Amy Berg (“Deliver Us From Evil”) filmi ka në qëndër një grup aktorësh të cilët kujtojnë së në fillim të karrierës së tyre, që fëmijë janë abuzuar nga personazhe të famshme në rradhët e Hollywood-it, agjentë, producentë etj. Përmes manipulimit, fshehjes së fakteve dhe rasteve, shfrytëzimit të pastër të aksiomës ‘kështu bëjnë të gjithë’, ‘kështu do ja dalësh të bëhesh i famshëm’ përgjegjësit kanë hequr pak ose aspak mbi kurriz. Madje do të zbuloni seshpesh vazhdojnë ende të punojnë në industrinë e filmit në amerikë, sërish me fëmijë.

Stereotipi i viktimave dhe familjeve të tyre është i njëjtë: Thirrja e Famës dhe suksesit. Predatorët – Pedofilë i afrohen familjeve si dele të buta dhe të besueshme, duke i premtuar realizimin e ëndrrave të fëmijëve të tyre që kanë pasion aktrimin për t’u kthyer në Yje të Bulevardit te Famës. Kjo i bën ata të bien brenda një skeme mashtrimi e cila si një krimb i një molle do të gërryej familjen e tyre deri në kalbje. Agjentë, të kthyer në miq familjarë, të kthyer në abuzues me djem nga 6-12 vjeç në rrëfime që të rrënqethin mishin.

Më tha që kështu bëhet, është shumë normale, e bëjnë të gjithë

–       rrëfen njëri prej protagonistëve i molestuar nga menaxheri i tij kur ishte ende i mitur. Turpi, poshtërimi, frika i bëjnë viktimat të rrinë në heshtje, të mbyllin sekretin e tyre në një dhomë të errët të trurit për të mos u kthyer kurrë më në atë ferr. Kjo mund të jetë arsyeja pse nuk ka më shumë viktima që tregojnë historitë e tyrë të abuzimit. Kjo dhe pasiguria e humbjes së të ardhmes në një prej karrierave më të lakmuara në botë.

Menaxheri në fjalë është Martin Weiss. Në 2012 ai nuk pati asnjë pretendim në gjyqin për molestim të miturish. Ai nuk ishte i vetmi në atë kohë. Të tjerë njerëz në rradhët e Holliwood-it u akuzuan për krime të ngjashme. Problemi kryesor në të tilla çështje janë provat të cilat mungojnë. Viktima e Weiss pati guximin të regjistronte një bisedë ku ai i kërkonte ti bënte seks oral. Të paktë janë fëmijët që kanë kurajo ti tregojnë prindërve të tyre, jo më të regjistrojnë një abuzim.

Ndaj agresiviteti dhe serioziteti me të cilën duhet trajtuar çështja është imperative. Rrëfimet e viktimave me zërin e dridhur dhe dhimbjen që ndjehet të ndikojnë edhe sikur të mbyllësh sytë për një çast.

Përtej shkëlqimit të tapeteve të kuqe, Hollywood-i fsheh shumë me tëper dhe ky dokumentar është një manual i nevojshëm, për prindërit e fëmijëve që angazhohen në showbiz!

Më shumë