“Hive/Zgjoi” (Mbase) filmi më i mirë shqiptar i pas 2000-shit. Kritikë.

Ledion Liço
07/12/2021

Një muaj më parë në edicionin e 19-të të Tirana International Film Festival, në natën e hapjes kishte premierën e tij shqiptare filmi debutues me metrazh të gjatë i skenaristes dhe regjisores Blerta Basholli “Hive/Zgjoi”. Arsyet për të shkuar në këtë premierë ishin të katërfishta, pavarësisht se unë i shmang turmat. E para filmi ishte bazuar në historinë e vërtetë të Znj. Fahrije Hoti, një nga gratë e veja të Krushës, një fshat 20 minuta larg nga Prizreni, një histori që e kisha parë rastësisht në një reportazh të mrekullueshëm të Alma Çupit në 2015 (Histori Shqiptare). E dyta filmi kishte fituar më herët këtë vit tre çmimet kryesore të një prej festivaleve më të rëndësishme të filmit në botë, Sundance Film Festival (Çmimin e Publikut, Regjia më e mirë dhe mbi të gjitha Çmimin e Jurisë). E treta Artan Korenica, bashkëshorti i Blertës, është një mik dhe bashkëpunëtor i imi që nga kohët e Supermodel Albania dhe e katërta dhe më pak e rëndësishmja pas dy javësh karantiminimi nga Covid-19, doja të dilja një orë e më parë nga shtëpia, pavarësisht ku shkoja… rasti e donte që bonusi ishte i madh.Kisha dëgjuar për filmin nga miq të tjerë, por kisha parë pak imazhe prej tij, 84 minutat që do të ndiqnin fjalimet e rastit do të ishin një befasi mbresëlënëse.

22 vite më parë në kapitullin e fundit (urojmë) të luftërave të Ballkanit mbas rënies së Jugosllavisë, konflikti mes Serbisë dhe Kosovës la 12.000 viktima dhe më shumë se 3.000 të humbur, kryesisht shqiptarë të Kosovës. 6 vjet pas luftës gjëndja e vendit ku jetonte protagonistja e historisë, Fahrije Hoti, Krusha ishte në limbo. Gratë kishin ngelur të veja dhe pa ndihmë nga burrat e tyre të humbur në luftë, në vështirësi shumë të mëdha ekonomike, me një mentalitet pedant kundër tyre e gjithmonë në kërkim të një (lloj) mbylljeje të historisë së tyre mizore. Hoti vendos përkundër të gjithave dhe të gjithëve të marrë fatin e saj në dorë për të shpëtuar familjen e saj nga skamja, dhe për t’i dhënë një dorë grave të ‘humbura’ si ajo. Pengesat janë të shumta, nga vjehrri i saj (Çun Lajçi) i paralizuar i cili i druhet opinionit dhe thashethemeve, tek fakti që ajo nis një biznes e rrethuar nga burra të cilët mezi presin të përfitojnë nga ‘dobësia e gruas’, apo luftës me fëmijët e saj të vegjël të cilët mendojnë se ajo e ka harruar babain e tyre dhe po vazhdon jetën. Për ta kontestualizuar situatën e atyre viteve, shoqëria Kosovare ishte shumë patriarkale dhe e bazonte bashkëjetesën, sidomos në zonat rurale në Kanun (Kanuni i Lekë Dukagjinit, ligjet tradicionale shqiptare, kodifikuar në shekullin e 15, publikuar i shtypur në 1950). Gruaja duhet të rrinte vetëm në shtëpi, nuk mund të punonte jashtë shtëpie, aq më pak të ishte e pavarur. Një grua e ve nuk mund të imagjinohej që të ngiste makinën, të kishte një biznes, apo qoftë edhe të fliste me burra të tjerë jashtë rrethit të saj të ngushtë familjar.

Drama është e kuptueshme, fundi dihet, rruga për aty jo. Shkruar aq bukur, “Hive/Zgjoi” ecën nëpër një rrugë që të trondit, të ngacmon e  frymëzon. Portretizimi me fytyrë të akullt, dhe me sy që thonë gjithçka që Yllka Gashi i ka bërë Fahrije Hotit, një gra e pa shkolluar me një vendosmëri mahnitëse, është një tjetër lokomotivë që e tërheq filmin drejt të qënit (mbase) filmi më i mirë shqiptar i (të paktën) pas viteve 2000.

Filmi ka kaluar nëpër një proces të gjatë prodhimi që nga koha kur Blerta Basholli dhe Artan Korenica shohin reportazhin e Alma Çupit dhe u lind ideja për ta kthyer në film historinë e Grave të veja të Krushës. Basholli ka treguar se ka biseduar me Znj. Hoti më shumë se katër orë herën e parë.

Edhe sikur ajo të mos pranonte që historia e saj dhe bashkëpunëtoreve të saj të kthehej në film takimi nuk do të ishte kurrë i kotë

– ka thënë regjisorja në një intervistë. Por Hoti pranoi, ama nga ai moment u deshën vite për të shkruar skenarin, siguruar fondet, ndërkohë Blerta mbaronte shkollën e filmit në amerikë, bëhej nënë e dy fëmijëve, vitet kalonin, por në asnjë moment nuk humbi besimi se filmi do të bëhej. 7 vite më vonë me fonde të Kosovës, Shqipërisë, Zvicrës, Maqedonisë së Veriut, filmi është një sukses ndërkombëtar dhe një krenari për ne që njohim sadopak historitë e dhimbshme të luftës.

Bazuar 95% në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit dhe grave të tjera, shikuesi jeton me ankthin e të panjohurës nëse njerzit e tyre të afërt do të kthehen një ditë, qoftë edhe ne një thes mjekësor me kocka dhe tesha. Është një ankth më të cilin ti del nga salla e kinemasë. Bashkë me të është shija e mirë që të ka lënë një film i xhiruar pa ndonjë pretendim të lartë estetik, por solid, një film i shkruar më mirë se shumica e filmave shqiptare që ke parë (dhe nuk ke parë pak), një film i aktruar me një ndjeshmëri larg klisheve duke e bërë atë (shumë) të besueshëm. Një film që mbase nuk do ta shohësh për herë të dytë sepse është aq i fortë emocionialisht sa të trazon shpirtin, por që do ta mbash gjithmonë në zemër dhe në mëndje, me një fjali që ja thua vetëm vetes…

Pse nuk kemi më shumë si ky film…

Më shumë