“No Time To Die”, e kujt ja prisje mendja që mund të qash në fundin e një filmi të James Bond. Kritikë

Ledion Liço
07/12/2021

Në këtë botë ka tre lloje njerëzish, ata që kanë parë çdo film Bond-i ndonjëherë (të rrallë), ata që kanë parë jo pak filma Bond-i në vite (shumica) të mirë e të këqinj qofshin dhe ata që nuk kanë parë asnjë film të 007 ndonjëherë. Për këtë të fundit nuk jam edhe aq i sigurt, sepse janë 25 syresh, i pari (“Dr.No) ka dalë atëhere kur ka lindur babai juaj që tani po shijon pensionin- 1962, dhe i fundit, pas më shumë se 18 muajsh pritje është duke u shfaqur në sallat e kinemave (Cineplexx, edhe 3d).

Për grupin e atyre që kanë parë jo pak filma të James Bond në vite, ky që pati premierën muajin e kaluar “No Time To Die” ishte edhe më ‘sfilitës’ për ta pritur sidomos nëse ishit fans i Daniel Craig në kostumin e Bond. Filmi shënonte herën e tij të pestë e të fundit në rolin e spiunit më të famshëm (e të dashur) në planet. E të mendosh se i vetmi Bond që Craig nuk superoi dot ishte ai, The Bond, Sir Sean Connery. Pavarësisht se u prit me kritikat më të ashpra në fillimet e tij Craig e ri-ngriti personazhin në majat më të larta duke e bërë atë më të besueshëm, më njerëzor, ndaj kapitulli i tij i fundit mund të ishte çdo gjë përveçse jo emocional.

15 vite më nga nisja e “Casinor Royale” (filmi më i mirë Bond në epokën e Daniel Craig), nën drejtimin e Cary Joji Fukunaga (“True Detective”, HBO) “No Time To Die” është lamtumira e duhur për Craig, një James Bond-i ndryshe nga trashëgimia e personazhit, larg  “Don-Zhuanit së armatosur”. Atë e gjejmë në një lidhje monogame, me njerëzor se kurrë më parë, duke i dhënë jo vetëm filmit por të gjithë sagës së 007 një freski të nevojshme.

Kjo nuk do të thotë që është një film i hatashëm, nga 5 filmat e Craig si Bond “No Time To Die” kalon vetëm “Quantum of Solace”. Gjatësia e tij dhe një Rami Malek tragjikisht i turbullt për pak sa e kthejnë filmin në një tragjedi të pa-shikueshme. Por zemra dhe shpirti i Bond-it, të cilët për herë të parë shpërfaqen në të gjithë dimensionin e tyre, materializohen aq shkëlqyer nga performanca e protagonistit, duke i kërkuar tërë hijeshi e mëshirë t’i lënë të gjitha pas.

“No Time To Die” bën diçka të rrallë për James Bond; vazhdon një histori të mëparshme. Ai vazhdon a ty ku e la “Spectre” (2015) , ku një armë e fuqishme biokimike ka rënë në duart e të maskuarit Safin (Malek), i cili do ta përdorë atë me qëllimin që të shkatërrojë botën. Bond i ‘ikën’ pensionit i lutur nga CIA, diçka që e vë në pozitë me punëdhësin e tij të mëparshëm – MI6 si dhe Agjentin e ri 007, ose duhet të themi Agjenten, Nomi (Lashana Lynch, Captain Marvel). Gjërat bëhen edhe më çorap për Bond-in kur e dashura e tij e re, Dr. Madeleine Swann (Léa Seydoux), është e përfshirë në këtë gjurulldi, dhe këtë e ka mbajtur të fshehur prej tij. Swann është e vetmja Bond Girl në historinë e 007-tës që shfaqet në dy filma.

Fukunaga është i pari regjisor amerikan që drejton një film të sagës. Mënyra e tij e matur e të rrëfyerit të historisë i rri për shtat formës dhe raportit mes aksionit dhe skenave të folura që kanë definuar Bond-in në erën e Craig. Përfshirja e tij sinjalizon ndryshimin, i cili udhëheq filmin në thelbin e tij. Përpjekje të tilla ka patur edhe tek “Skyfall”(2012) i cili ka në qëndër një Bond të plakur që kërkon të provojë që është sërish më i miri në terren. “No Time To Die” shkon përtej; Bond-i i kësaj historie është i lodhur dhe paranojak. Si për të pasqyruar atë që aktori i tha ‘Time Out’ gjashtë vite më parë në një intervistë:

Më parë mund të prisja damarët sesa të luaja sërish 007-tën

…spiuni energjik, është tërhequr, do të shijojë pensionin e të lërë jetën e dikurshme pas. Pasuesja e tij është e një tjetër prerjeje – ndryshe nga qasja e tij prej ‘Qëllimi justifikon mjetin‘ ajo ndjek protokollin me përpikmëri duke nënvizuar edhe njëherë faktin që Bond, James Bond është një dhe i vetëm. “No Time To Die”është gjithashtu një qasje e ndryshme për personazhet femërore të historisë të cilat janë më në kontroll të jetës së tyre dhe marrin vendime të forta, e po aq një Bond i cili pranon disfatat e veta dhe vazhdon të jetojë pavarësisht pa e vrarë mendjen.

“No Time to Die” e ‘lejon’ Agjentin të jetë prej mishi e shpirti, një lloj përmbushjeje e një James Bond-i të ri që njohëm në 15 vitet e interpretimit të bjondit i cili u prit aq keq kur u konfirmua si protagonisti i sagës, me kërcënime nga më të frikshmet.

Nëse nuk hyni në llojin e njerzve emotivë dhe emocionalë (nga ata që do qani në fund), sigurisht që filmi nuk do t’ju duket ndër më të mirët as të Craig, aq më pak të gjithë 25 filmave. Mbase fajin për këtë e ka i keqi i historisë Rami Malek. Ekzekutimi i aktorit të talentuar është i mefshët, me motive të paqarta dhe i mbiaktruar më kot. Po aq mund të duket e pavend barazimi që skenari heq mes protagonistit dhe antagonistit në një fjali drejt fundit të filmit, që më shumë se një mbyllje e bukur tingëllon si një lobotomi për shikuesin.

“No Time to Die” është testamenti që Daniel Craig i lë sagës, mbushur plot me shtyrje të kufijve të personazhit, me të cilat pasuesi do ta ketë të vështirë të haset, sepse ky Bond, ky James Bond është i pa-kohë, e na lë të (pa) ngopur.

Më shumë