“Scenes From a Marriage” agonia e një çifti që duhet dhe urrehet në të njëjtën kohë.

Silvia Tabaku
07/12/2021

Armë-pushimi i tyre quhet lumturi. E para herë që i takojmë janë duke dhënë një farë interviste për një artikull në gazetë, ku pranojnë, tinëz, se mbas 10 vitesh martesë, ata janë, vërtet, të lumtur. Sidomos burri, Johani. I suksesshëm në karrierë, i dashuruar me të shoqen, babai i dy vajzave, i pëlqyer nga miqtë e tij, është vërtet rasti i një njeriu të kompletuar. Bashkëshortja, Marjana, duket të jetë më e kujdesshme në mendimet e saj, disi më e tërhequr. Duke u përgjigjur ajo nis të thotë se në punë do donte të shkonte në një drejtim tjetër… aty ndërpritet nga gazetarja e cila i kërkon një fotografi.… Nuk e kuptojmë kurrë se ku donte të dilte, nuk trajtohet me të njëjtën vëmëndje si ajo ndaj bashkëshortit. Menefregizmi është i dyanshëm, edhe pse martesa e tyre duket, sigurisht, perfekte.

Kështu nis një nga historitë më të ndritshme të vërteta të të dashurisë; Kështu nis “Scenes From a Marriage” (1973) nga Ingmar Bergman. Martesa e protagonistëve do të shpërbëhet pak kohë nga fillimi i filmit por dashuria e tyre jo. Pavarësisht ashpërsisë së luftës mes tyre, divorcit të hidhur, fjalët si thika të mprehta që therrin në shpirt, prekja e shpirtrave të tyre do ti rezistojë gjithçkaje.

https://youtu.be/K6qrTm_-U9Y

Bergman është munduar në vite të diseksionojë temën e komunikimit mes dy njerzve. Referuar filmit ai e ka quajtur atë ‘agonia e një çifti’. Në filmat e tij “Winter Light” apo “Pasioni i Anës”  ai analizon imtësisht akuzat dhe gjakderdhjen metaforike ose jo të çifteve dhe erozionit të kohës. Tek ky film ai duket se i vë kapakun. Në punët që i paraprinë këtij, artisti i madh, Bergman, shihet të mundohet të ketë një pajtim të personazheve dhe fateve të tyre – një lloj katarsisi për të pranuar të pashmangshmen. Në “Cries and Whispers” ai përqafoi vdekjen në një botë ku Zoti është memec. “Scenes From a Marriage” është një kryevepër zemërthyese ku ai pranon se të gjithë burrat janë, në fakt, ishuj. Realizimi i filmit (168 minuta, i prerë me mjeshtëri dhe pa asnjë humbje nga 6 seritë 50 minuta të transmetuara në televizionin Suedez) i mori atij 4 muaj fizik, por me eksperiencën e një jete.

Të martuarit e filmit të tij i përkasin klasës së mesme të lartë. Ai është profesor, ajo avokate ndërmjetësimi e divorcesh. Dy vajzat e tyre nuk dalin asnjëherë në kamera. Te dy janë inteligjentë, të pavarur. Edhe pse ajo nuk e pëlqen shumë seksin, ajo vërtet mendon se martesa e tyre është e lumtur. Imagjinojeni se si ndjehet ajo kur ai vjen në shtëpi dhe i thotë se ka rënë në dashuri me dikë tjetër, dhe se i duhet ta lërë. Nuk mund të bëjë dot asgjë. Dhe reagimi i saj (Liv Ullmann, e bukur dhe e zonja) është në të dyja anët e kufijve të spektrit emocional. Burri i saj (Erland Josephson) nuk i jep asnjë rrugëdalje, dhe ajo prapë e do, frikësohet se me zgjedhjen e tij ai do të ngelë i palumtur.

Ai ikën… më pas historia zhvillohet vrazhdë, pastaj ëmbël, tërë romancë, nga ajo e vërteta, e rritura, nëpër të gjithë fazat e marrëdhënies së tyre të (pa)konsumuar. Frustrimin që kanë për veten ja përflakin njëri-tjetrit. Në një skenë gjithçka denigron në dhunë fizike, ai e rreh dhe qan me dënesë, diçka që deri më atëhere nuk e kishim parë në ekran. Por koha shëron çdo gjë, shija e hidhur e tradhëtisë transformohet në embëlsinë e sigurisë së miqësisë, si një shtëpi e vjetër e rehatshme që therrët sërish pasionin dhe rehatinë.

Në kapitullin e fundit të quajtur “In the Middle of the Night in a Dark House” / “Në mes të natës në një shtëpi të errët” Marjana zgjohet nga një makth, Johani e përqafon fort. Kanë kaluar 20 vite në atë moment që nga dita e dasmës së tyre, dhe edhe pse në mesin e moshës së tyre sërish kanë nevojën e sigurisë për njëri tjetrin ose prej. Ky është pranimi i Bergman, burimi i pajtimit të tij. Përtej dashurisë, martesës, egoizimit që shkatërron dashurinë, forcës centrifugale të unit që i largon dy njerëz nga njëri tjetri, ajo që ngel janë ato që dimë për njëri tjetrin, pavarësisht kohës që shkon, viteve që fluturojnë dashuria, o nevoja, o rehatia quajeni si të doni, ndaj dhe me njëri tjetrin të mban bashkë.

Edhe pse ata janë të martuar vetëm në kapitullin e parë të filmit, çdo gjë që shohim më pas është një ‘Skenë nga martesa e tyre’.

HBO ka kthyer filmin në një serial me protagonistë Jessica Chastain dhe Oscar Isaac dhe deri tani janë transmetuar 3 episode nga 5 me një reagim shumë të mirë nga kritika dhe shikuesit.

https://youtu.be/mRuVWHnQlV8

Më shumë