“The Conjuring: The Devil made me do it” – nuk është filmi i rradhës me ekzorcisëm. Kritikë.
Filmi i tretë i triologjisë “The Conjuring” me protagonistë Patrick Wilson dhe Vera Farmiga i gjen ‘hetuesit’ paranormalë të përfshirë në vetë të parë në një rast (të vërtetë) të një pushtimi demoni.
Kur një film horror, ose xhanëm çdo lloj filmi, nis me një fuqi kozmike, pyetja është ku mund të shkojë mbas fillimit. Dhe i treti i “The Conjuring” nuk ka humbur asgjë as nga fillimi dhe as nga filmi i dytë duke vazhduar të jetë po aq i frikshëm, shokues dhe përfshirës për të gjithë fansat e tij dhe të devotshmit e zhanrit horror në tërësi. Shtoi kësaj edhe faktin që filmi i tretë bazohet në një histori të vërtetë kur një djalosh u akuzua për vrasje por pretendoi të ishte i pafajshëm edhe pse trupi i tij kreu krimin sepse mendja/shpirti i tij ishte pushtuar nga djalli – një prej rasteve më të bujshme ligjore në historinë e Shteteve të Bashkuara.
Mjafton të thuash kaq dhe menjëherë edhe ata që nuk kanë qënë ndonjëherë të interesuar në filma me ekzorcistë të duan ta shohin filmin. Por filmi në vete nuk merret me gjyqin aq sa merret me ngjarjet e pa thëna gjatë tij. Që prej vitit 2013 kur në kinema doli “The Conjuring 1” zhurma mbas këtij franchise ka qënë vetëm në rritje. Edhe pse Horrori është një zhanër jo aq masiv sa dikur – rradhët nëpër kinema për ta parë ishin gjarpëruese.
Edhe pse regjisori nuk është më i njëjti i dy filmave të parë – James Wan, “The Devil made me do it” i vendosur në vitet 1980 dhe me regji të Michael Chaves është po kaq tërheqës. Wilson dhe Farmiga rikthehen në rolet e tyre ikonike të Ed Warren dhe Lorraine. Përkushtimi i tyre ndaj rrolit është solemn, ndaj edhe kësaj here i gjejmë në formën më të mirë të mundshme. Chaves, i sprovuar më herët me ‘The Curse of La Llorona” (2019) e njeh horrorin në pëllëmbë të dorës.
Për cinikët që mendojnë se filmat e tillë janë stër-bërë ai arrin ta tërheqë shikuesin dhe ta ndërlikojë historinë vizualisht për një eksperiencë e cila sidomos në kinema është fantastike (kujdes për ju që trembeni kollaj). Historia tingëllon origjinale edhe falë punës të skenaristit David Leslie Johnson-McGoldrick.
Në fillim gjejmë të pushtuar nga demoni një 8 vjeçar të ëmbël me emrin David (Julian Hilliard), dhe skena e fillimit është aq shpërthyese sa mund të ishte fare mire edhe kulminacioni i filmit. Por në rrëmujën që të mpin, shpirti djallëzor kalon nga David tek Arne Johnson (Ruairi O’Connor) – i dashur i motrës së David. Dhe është pikërisht ai që akuzohet për vrasje.
Me kamerën e Michael Burgess dhe skenografinë e Jennifer Spence “The Conjuring 3” është një nga filmat komerçialë më të mirë të vitit. Kolona zanore i jep gjithashtu atij një aureolë elegance. Sidoqoftë lodhja po fillon të duket. Idelja do ishte që filmi të ndalonte këtu! I treti i vërteti themi ne shqiptarët, dhe mbase se kemi keq, mirëpo filmi është biznes, dhe me shumë gjasë do të shohim një film të katërt e të pestë. Çdo gjë që ngjitet, duhet të zbresë sërish ndaj pyetja është, A ka më ngjitje për të bërë “The Conjuring” apo do të fillojë tatëpjetën.
“The Conjuring: The Devil Made Me Do It” është duke u shfaqur në Cineplexx, TEG & QTU.