“The Green Knight” madhështor dhe pak i ngatërruar, por a nuk janë të gjithë filmat e mirë të tillë?! Kritikë.
Në titrat hapëse me një font mesjetar të theksuar thuhet se ky film është “një përshtatje e një romance kalorsiake nga (një) Anonim-i”. Romanca njihet gjërësisht si “Sir Gawain and the Green Knight”, një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë angleze, shkruar në shekullin e 14 në vazhdën e letërsisë Arthuriane (King Arthur, legjenda e shpatës Excalibur etj) studiuar nga gjenerata që pas publikimit të saj. Kthimi i veprës në film është pak të thuash e rrezikshme por kureshtare njëkohësisht. E – Ai – që e ka marrë përsipër nuk ka ndërmend të bëjë kompromise për t’u kuptuar e pëlqyer nga një publik më i gjërë.
Ai – është regjisori vizionar nga SHBA, 40 vjeçari David Lowery (“A Ghost Story”, “Pete’s Dragon”) i cili ka vendosur të mos e modernizojë historinë, dialogjet – asgjë nuk ‘vjen’ në kohë – çdo gjë ngel pezull në një të shkuar të largët, tejet të largët. Me protagonist Dev Patel – “The Green Knight” është një aventurë sfilitëse – por e ngelur peng i të shkuarës duke u mbajtur fort me kthetra pas saj. Lowery ekzaminon se si krijohen mitet dhe legjendat në një poemë që ka lodhur gjeneratat anglisht-folëse për dekada deri në gjimnaz. Ai nuk i qëndron besnik poemës, por i qëndron një-qind-për-qind legjendës Gawian-e, rresht për rresht duke e çuar qëllimin e filmit më lart e duke ja bërë misterin e më tërheqës.
Regjisori dhe skenaristi nuk e ka për herë të parë lëvrimin në lëmin e miteve dhe legjendave dhe përpjekja e tij për të imagjinuar krijimin e tyre apo edhe fundin e tyre, të ndryshëm nga ata të rrëfyera brez mbas brezash është parë nga publiku në disa raste. Kështu në 2013 ai eksploroi pasojat e të jetuarit alla Bonnie and Clyde tek “The Bodies Saint” (2013), pasojat e një romance të gjatë, shumë të gjatë tek “A Ghost Story” (2017) apo pasojat e ditëve të fundit prej hajduti me famë tek “The Old Man and the Gun” (2018).
Në 2021 protagonisti i tij Patel, Sir Gawain, nipi i Mbretit Arthur, ndihet i vogël, i parëndësishëm në krahasim me lavdinë e Xhaxhait të tij Kalorës dhe Kalorësve të tavolinës së rrumbullakët. Joshja e tij është lavdia, titulli, po edhe nderi (mbase). Është kjo arsyeja se pse në një kremtim krishlindjeje, kur i jepet mundësia për t’u përballur me një kalorës magjik – The Green Knight – Kalorësi Jeshil, ai rrok momentin duke marrë një vendim që do i përcaktojë të ardhmen!
Ka disa dallime të rëndësishme mes poemës dhe filmit. Në poemë Gawain është një kalorës i dashur dhe i respektuar i Tavolinës së Rrumbullakët, ndërsa në film ai është një djalosh hokatar e i përhumbur në kërkim të lavdisë. Në poemë Kalorësi jeshil quhet ashtu vetëm prej ngjyrës së lëkurës së atij që ‘ndeshet’ me Gawain-in, ndërsa në film Jeshilja është më e thellë se kaq. Në film ndryshe nga poema Gawain ka një raport me një prostitutë, Essel (Alicia Vikander) e cila ëndërron të kalojë gjithë jetën me të, pavarësisht mangësirave të tij. Këto të fundit nuk janë të denja edhe për Mbretin Arthur (xhaxhain e Gawain) (Sean Harris) dhe Mbretëreshën Guinevere (Kate Dickie). Të dy dëshirojnë një të ardhme më të ndritur për nipin e tyre. Të njëjtën dëshirë ka edhe e ema e Gawain (Sarita Choudhury) edhe pse e tërhequr nën kullën e saj të magjisë së zezë. Legjenda thotë se mamaja e Gawain ishte Morgan Le Fay, e cila e mësoi magjinë nga magjistari Merlin. Në film ashtu si në poemë Mbreti Artur është xhaxhai i Gawain, dhe Morgan Le Fay është gjysëm motra e tij, edhe pse del nga fund i poemës – ndryshe nga filmi – në poemë Gawain nuk është i biri.
Filmi është i mbushur me simbolika. Që nga Kalorësi jeshil – i cili nuk është edhe aq jeshil, i ngjan më shumë një peme – një përfaqësues i natyrës, paganes, shpirtërores – anti tezë e botës Kristiane në modernizim e sipër të Kamelotit. (Nëse do të vini ri disa ngjashmëri personazhesh mes filmit dhe Lord of the Ring – duhet të dini që një nga përkthyesit më të rëndësishëm të poemës ka qënë autori i LOTR – J. R. R. Tolkien.) Ka një ndryshim në fotografinë e kështjellës dhe natyrës, e para duket si duke u kalbur, e dyta pret të bëhet si ajo, duke ngjizur teza ambientaliste shumë aktuale. Gjithaq Gawain vetë është ‘jeshil’ – kur niset për në Kishën Jeshile që e bën edhe më komplekse lidhjen mes tij dhe kalorësit magjik e misterioz dhe sfidës që i shtroi.
Nga aventurat e mundimshme të poemës, filmi i pret ato shkurt e saktë – disa shikues që nuk pëlqejnë mungesën e dialogut në filma do thoshin – jo edhe aq shkurt e saktë – e pra miq duhet të lexoni poemën – po aq e mundimshme sa aventurat.
Në rrugë për të larë hesapet me Kalorësin Jeshil, Gawain takohet me një hajdut kufomash lufte (psikiku Barry Keoghan) takim i cili do të vazhdojë të nënvijëzojë naivitetin dhe mungesën e maturisë së Gawain-it. Pikërisht këtu regjisori përdor një ndërhyrje 180 gradë të ngadalësuar me kameran duke treguar një përfundim tjetër të legjendës, të mitit duke luajtur me imagjinatën e ‘po sikur-it’. Imagjinata e regjisorit bashkohet dhe përplaset shpesh me atë të protagonistit jo vetëm këtu por edhe në vazhdim…
Po ashtu filmi bën bashkë dy legjenda paralele të cilat kanë bashkëjetuar në kohë por jo brenda njëra tjetrës. Pikërisht personazhi që Gawain takon të rradhës – Saint Winifred. Legjenda thotë se Winifred u bë shenjtore pasi dikush i preu kokën ngaqë kjo nuk pranoi të kryente marrëdhënie me të. Në film ajo i lutet Gawain të gjejë kokën e saj duke e ngarkuar me simbolika edhe këtë moment të tij.
Aventura e tij e fundit është takimi me një Lord (Joel Edgerton) dhe damës së tij e cila ka një ngjashmëri të frikshme me Essel (të dyja luhen nga Vikander). Me to edhe një plakë misterioze me sy të fashuar. Këtu filmi dhe poema bëhen bashkë. Pak a shumë.
Në poemë (dhe në film) Gawain, për të provuar se është i denjë për titullin kalorsiak duhet të pranojë nga Lordi gjahun e tij më të mirë në këmbim të kthimit të çdo gjëje që ‘gjente’ në shtëpinë ku ishte mik. Tundimi për të ruajtur nderin dhe virtytin mplekset keq.
Po ashtu paralele mund të hiqen mes “The Green Knight” dhe “The Last Temptation of Christ” (1988 – Martin Scorsese). Krahasime mes Gawain dhe Krishtit janë bërë edhe nga shkollarë që kanë studiuar letërsinë ‘Arturiane’ në tërësi. Sigurisht fundet (e filmave) janë kryekëput të ndryshme, por thelbi është i njëjti.
Ekperienca e të parit të “The Green Knight” nuk është për të gjithë, është i gjatë, i shurdhët, kërkon shumë përqëndrim, diçka që në epokën e telefonave të zgjuar mungon në përgjithësi. Patel, arrin të mbajë çdo skenë të gjallë dhe intensive pa patur ndihmën e fjalëve, koret dhe muzika e përdorur i shtojnë fuqinë çdo minute të një aventure e cila duhet shijuar më shumë se një herë, sepse vetëm ashtu mund t’ia zbërthesh simbolikat, e t’ia kuptosh madhështinë.
“The Green Knight” 2 orë 10 minuta është duke u shfaqur në kinema dhe Apple TV.