“Unforgiven” – e pafalshme nëse ju ka ‘humbur’ ky film i 1992. Kritikë.

Silvia Tabaku
07/12/2021

Më 3 Gusht të 1992 në sallat e kinemave do të shfaqej për herë të parë western-i Clint Eastwood “Unforgiven”. Muaj më vonë ai do të fitonte katër statuja Oscar-i duke përfshirë Filmi më i mirë dhe Regjisori më i mirë në ceremoninë e 65 të Academy Awards.

Është historia e një ish-vrasësi të pa mëshirshëm të perëndimit të egër, i cili nuk kursente askënd, përfshirë këtu gra e fëmijë (thënë me gojën e tij) derisa gruaja me të cilën do të martohet do ta ndryshonte tërësisht si njeri, duke e kthyer në një fermer të ndershëm e familjar. Familja e gruas së tij, Claudias ishin të shqetësuar nga zgjedhja e vajzës së tyre për të lidhur jetën me një burrë të tillë, prej të cilit ajo me siguri do të gjente vdekjen… ndryshe ndodh. Në moshën 29 vjeçare pasi i dha William Munny (Clint Eastwood) një djalë dhe një vajzë, Claudia do të vdiste nga lija, duke e lënë Munny-n të kujdesej për të gjitha. Nuk vonon dita kur tufa e derrave të tij do të sëmuret dhe paratë të ngelen pak – dhe kur në derën e tij troket një djalosh (Schofield Kid) (Jaimz Woolvett) për ta ftuar në një vrasje me shpërblim Munny vendos t’i rikthehet edhe një herë (të fundit) jetës së tij të vjetër duke peshuar zhgenjimin e të shoqes së ndjerë dhe të ardhmen e dy fëmijëve të tij.

Bashkë me ish partnerin e tij Ned Logan (Morgan Freeman) Munny dhe Schofield kanë në shënjestër dy cowboy-s (lopçarë, fermerë) të cilët nga sulmuar brutalisht një prostitutë në një bordello në Big Whiskey, Wyoming. Të pakënaqura me vendimin e sherifit të qytezës – Little Bill Daggett (Gene hackman) për dënimin ndaj agresorëve, gratë e bordellos mbledhin të gjitha kursimet që kanë për t’u hakmarrë për shoqen e tyre.

Me qetësinë e një profesionisti të vjetër, Eastwood zbërthen të gjithë romantacizmin e ‘të vrarit’ në Westernat e vjetër amerikan duke e sjellë me ‘këmbë në tokë’, duke dalluar legjendën nga historitë vërteta (dhe kjo mund të ishte një histori i errët e vërtetë). Qëllimi i tij është të bëjë shikuesin të diskutojë të moralshmen e të pamoralshmen, ku ndahen e ku takohen, në një film të mirë që nuk të bën të ndjehesh mirë.  Shkruar nga skenaristi i “Blade Runner” – David Webb Peoples, bashkuar me performancën solide (si ngahera) të Eastwood është (pak të thuash) interesante udhëtimi i një burri që ka lënë pas një jetë të errët t’i rikthehet sërish errësirës e cila glorifikohet nëpër libra (o filma në rastin tonë) (është një skenë shumë e bukur, një tribut për Spaghetti Western-at e Sergio Leones – kur W.W. Beauchamp (Saul Rubinek) është duke shkruar biografinë e vrasësit me nam English Bob (Richard Harris), i punësuar nga vetë ky i fundit) por është larg faktit. Metafora e “historinë e shkruajnë më të fortët” është më e gjallë se kurrë në këtë skenë, e vërteta humbet në analet e historisë për të mos u gjetur më kurrë.

Filmi, si një pjesë jo e vogël e filmave të Eastwood, nuk ka një fotografi mbresëlënëse, klishe të llojit kalërim në perëndim, por është një prej më të mirëve të Clint i cili shkëlqen bashkë me Hackman dhe Freeman.

“Unforgiven” është një homazh për Don Siegel dhe Sergio Leone, ata që ‘krijuan’ Eastwood-in e pavdekshëm pak a shumë,  në një formë glorioze. Një lloj kundërhelmi i një zhanri i cili edhe pse në 2021 ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, ngelet një nga më mbërthyesit e artit të shtatë.

“Unforgiven”, 2 orë 10 minuta shfaqet në Film Autor, Digitalb.

Më shumë