“Dune”, fillimi i diçkaje të bukur. Kritikë

Ledion Liço
09/12/2021

Në një galaktikë të largët, shumë të largët, një djalosh përballet me fatin e tij të pashmangshëm. Hija e luftës terret në eter. Buzë krizës, ai navigon nëpër një botë feudale e udhëhequr nga një perandor mizor, fisnikë të përçarë dhe skllevër të pashpresë, një rrëfenjë e përzier mes mitologjisë dhe krijimtarisë së George Lucas. “Dune” ka dominuar arkëtimet e sallave të kinemave gjatë këtyre javëve edhe pse ka shumë pikëpyetje për atë që përfaqëson protagonisti i saj mesia-nik.

Filmi është një sipërmarrje herkuljane e Denis Villeneuve (“Arrival”), një prodhim i kushtueshëm i mbushur me ‘yje’, përshtatje e pjesës së parë të romanit të Frank Herbert. Publikuar në 1965, 900 faqet e librit janë të mrekullueshme, mbushur me sundimtarë e rebelë, shtriganë e luftëtarë. Herbert thotë shumë – për besimin, ekologjinë dhe fatet e njerëzimit – i frymëzuar nga mitologjia Greke dhe kulturat indigjene. Mbas përpjekjeve të qeverisë për të mbajtur dunat e rërës larg, ai ëndërroi për një planet rëre ku uji ishte nafta e re. Rezultati është një histori epike e shokuese e cila mund të lexohet si parathënia e fillimit të një rendi të ri botëror për shkak të footprint-it tonë shkatrrimtar dhe të paskrupullt ambiental.

Villeneuve punon njëkohësisht në shkallë të madhe e në të njëjtën kohë me një vëmëndje totale ndaj detajeve, të nevojshme për një histori përfshirëse me gjithë ndërlikimet e saj. Si në libër, filmi është vendosur mijëra vite nga tani dhe ka në qëndër Paul Atreides (Timothée Chalamet), pasardhësi i një familje fisnikësh. Me të atin, Duke Leto (Oscar Isaac) e të ëmën, Lady Jessica (Rebecca Ferguson), Paul niset drejt shtëpisë së tij të re, një planet në shkretëtirë që quhet Arrakis, por që thirret ndryshe Duna (Dune). I urdhëruar nga perandori, Duka (Isaac) duhet të marrë në dorë kontrollin e planetit, i cili është po aq shtëpia e krimbave rëre monstruozë, Beduinëve misteriozë dhe një lënde shumë të çmueshme që quhet spice (erëz).

Intrigat janë të komplikuara dhe të gërshetuara me ndeshje me shpata, vdekje heroike dhe hyrje të një gruaje enigmatike (Zendaya), e cila i hedh kamerës disa shikime të hidhëta dhe me ecje Malikiane e mbuluar nga një pëlhurë që rrjedh në slow-motion. Ajo është një copëzat e formueses së fatit të Paul-it, një fat mistik si ai i motrave magjistrica (udhëhequr nga Charlotte Rampling) të cilat kanë fuqi meta-fizike dhe ndajnë një ndërgjegjie të përbashkët, në përplasje të vazhdueshme me Baronin flamboiant, (Stellan Skarsgard) dhe misionit të tij shkatërrimtar.

Kthimi i historisë në një film është një sipërmarrje titanike aventurierësh, nga ata që rrezikojnë çdo gjë. Kombinimi mes dialogjeve të gjata dhe kuadrove vizualisht të pasura e bëjnë Villeneuve të duhurin për materializimin e saj. Çdo element vizual dhe përmbajtësor i filmit është në sintoni të plotë. Ka momente sidoqoftë që regjisori qëndron më gjatë [seç duhet] mbi krijimet e tij, si në rastin e helikopterëve/pilivesa apo kufomave të gjakosura. (Ky nuk është një film për të qeshur, por shkakton të tilla në disa momente, si ai i vaskës të mbushur me naftë i Baronit kokë zbathur, që tregon qartazi që Villeneuve është fans i “Apocalypse Now”). Është e kuptueshme zgjatja… sepse bota e krijuar nga Villeneuve është monumentale.  Ama shkalla spektakolare e filmit dhe mitet komplekse të Herbert nuk krijojnë traksionin e duhur mes lëvizjes dhe pa-lëvizjes. Jo shumë gjatë mbasi arrin në Dune, Paul-i përthithet dhunshëm nga dhomat e ndriçuara tek shkëlqimi i shkretëtirës plot kurthe të panjohura, makineri ekstra-gjigande, lë rrobat e dikurshme për ato të atyre që eksplorojnë ato duna rëre. Odiseja e tij Zhyl Verniane i ngjan asaj të një mize kapur në një rrjetë jo – të zakonshme.

Chalamet (25 vjeç) është mjaftueshëm i ri për rolin (Paul është vetëm 15 vjeç në fillimet e romanit) dhe i rri shumë për shtat poza fisnike, kapota e zezë dhe flokët kalorsiake. Aktori i filmave të njëpasnjëshëm të shkëlqyer ka momentet e tij të shkëlqimit edhe këtu, qysh prej fillimit (Një skenë dhimbjeve mes tij dhe të ëmës). Fillimi i mbarë gjysma e punës, por mbase jo në këtë rast. Fiziku i tij i brishtë, si edhe pamja prej çunaku, e bëjnë rolin e tij konfliktual nga Paul-i fisnik tek Mesia Luftëtare (dukshëm në skenat e trajnimit të tij me kryeluftëtarin (Josh Brolin), më të dukshëm në film se sa në letër.

Shkruar nga Villeneuve, Jon Spaihts dhe Eric Roth, skenari ka marrë disa liri veprimi libri. Edhe pse besnikëria në makro është e dukshme disa pika konflikti kanë ndryshuar apo disa personazhe kanë ndrruar gjini, si në rastin e Dr. Liet Kynes, një ekologjist që nga burrë në libër, është një grua në film. Interpretuar nga një Sharon Duncan-Brewster jashtëzakonisht goditëse, personazhi i saj nuk merr mjaftueshëm hapësirë në final cut-in e “Dune”, aq më shumë kur mendon funksionin e saj të rëndësishëm narrativ. Sidoqoftë, Duncan-Brewster, po aq sa shumë aktorë të tjerë në role mbështetëse bëjnë një përshtypje të mjaftueshme për të mbushur elipset e skenarit.

Regjisori ndjehet që kalon nëpër një luftë të heshtur me veten në zgjedhjen mes t’i qëndruarit besnik materialit ku bazohet dhe përuljen ndaj qeresteve që industria e filmit kërkon për ta kthyer atë në sukses (comercial). Në kohën kur industria dominohet nga filmat e Marvel, është e vështirë të bësh një film që ka masën e duhur për të kënaqur shumicën…(në pamundësi për ti kënaqur të gjithë).

Hollywood-i kërkon heroin (gjithmonë) dhe jo rrallë edhe fundin e lumtur, një problem që Villeneuve nuk di o nuk do ta zgjidhë. Protagonisti i tij mban kryqin e vizioneve që nuk i kupton akoma, dhe si në libër, ai është tërheqës po aq sa kërcënues. Herbert nuk kishte asnjë interes për të krijuar një hero klasik. Heroi i tij do të ishte po aq edhe anti-heroi.

“Nuk ka fatkeqësi më të madhe për popullin tonë, se sa të bjerë në duart e një HEROI” -thotë nga një personazhet.

I hapur është kërcënimi ndaj një Paul-i që duket të jetë i sinqertë dhe empatik në procesin e hero-bërjes. Edhe më bëhet kur mendon se HeroiMesia, ai që mban barrën në histori është një fisnik i bardhë, imcak dhe i zbehtë, përkundër banorëve të errët dhe dukshëm ndryshe nga ai. Sa i bardhë ishte Paul-i i librit, kjo ha debat. Fokusi i Herbert-it është mbi rracën njerëzore, dhe siç Jordan S. Carroll shkruan në një ese të Los Angeles Review of Books

Libri në SHBA dhe gjetkë është përqafuar nga White Supremacists (Grup Radikal me pikëpamje raciste dhe mbështetës të teorisë që rraca e bardhë është ajo që duhet të dominojë).

“Fashistët e duan “Dune”- shkruan ai ndër të tjera duke theksuar sidoqoftë se, kjo dashuri vjen nga leximi i librit së prapthi.

Talenti i Herbert është aftësia e tij për të njëhsuar civilizimet Navajo, Azteke, Turke, Perse dhe shumë burime të tjera – në një botë unike, të çuditshme, të largët, të panjohur po aq sa të njohur. Hija e “Lawrence of Arabia” dhe kolonilianizmit bie mbi filmin për shkak se gjuhët e tyre derivojnë nga origjina arabe. Por libri të lë hapësirën ta mendosh Paul-in nga cila prejardhje të duash. Ndryshe nga librat, filmat janë shterues. E njësoj si tek përshtatja e parë kinematografike nga David Lynch në 1984 (konsideruar nga kritika si një përshtatje e tmerrshme) personazhi kryesor interpretohet nga Kyle MacLachlan, një tjetër i bardhë.

Por duke lënë mënjanë këtë aspekt, “Dune” mbaron duke të lënë një shije të mirë, një ftesë të ëmbël për më shumë. Sepse fundi në fakt nuk është fundi, është fillimi i një aventure të bukur. Herbert shkroi 5 libra të sagës, dhe të tjerë pasuan për të zgjeruar universin e “Dune”, edhe pas vdekjes së shkrimtarit (mbi 20). Nëse do të mund të kthehet në një seri fenomenale fansash apo jo këtë t’ia lëmë kohës, sepse ky [nuk] është një film kokoshkash. Është një epik i cili të lyp të merresh me të edhe pasi në ekran kanë dalë titrat (pavarësisht i kënaqur ose jo),  të Google-osh për të kuptuar më shumë e t’i kthehesh kinemasë kur të dëgjosh në radio se doli filmi i dytë.

Më shumë