Si çantat e vogla u bënë një trend i papritur i veshjeve për meshkuj!

Klea Balliu
10/12/2021

Në një skenë ikonike të shfaqjes së komedisë “The Importance Of Being Earnest”, personazhi kryesor Lady Bracknell merr në pyetje Worthing, për rrethanat e lindjes së vajzës së saj Gwendolen. Pasi i pranoi Lady-t se nuk është plotësisht i sigurt se cilët janë prindërit e vërtetë të Gwendolen, ai i thotë Lady Bracknell-it se si fëmija u gjet në një çantë dore në stacionin “Victoria”. Ajo u përgjigj e habitur:

 Në një çantë dore?!

Është një nga momentet më qesharake në historinë e teatrit dhe ia vlen të kujtohet tani, sepse është reagimi i saktë që patëm kur po shihnim disa fotografi të fundit të njerëzve të famshëm. Çantat e dorës, me sa duket, janë gjëja më e re për t’u mbajtur dhe shembuj ka kudo. Gjithmonë çantat janë përdorur si aksesor në veshjet e grave dhe tani trendi mund të depërtojë në “territorin” e meshkujve.

Në “Javën e Modës” në Paris në muajin tetor, ylli i serialit “Gossip Girl”, Evan Mock, tërhoqi vëmendjen e të gjithëve me veshjen e tij. Jeleku i thurur dhe perlat padyshim që ishin trend, por çanta ngjyrë rozë nga stilistja e njohur Vivienne Westwood ishte ajo që ra më shumë në sy.

Ndërkohë, aktori dhe muzikanti i njohur Jared Leto, u shfaq në premierën e “House Of Gucci” me një kostum ngjyrë blu prej kadifeje, duke mbajtur një çantë argjendi në formën e një zemre njeriu. Por ky nuk është aksesori më i çuditshëm që aktori ka sjellë në tapetin e kuq. Ai zgjodhi të merrte si aksesor një kopje të kokës së tij në “Met Gala” në vitin 2019.

Ndërsa dramaturgu dhe aktori i njohur Jeremy O Harris, zgjodhi të përdorte si aksesor në veshjen e tij, në galanë “LACMA” një çantë dore në ngjyrë të zezë të markës së njohur “Gucci” me doreza ngjyrë ari. Mund të dukej sikur ai po mbante çantën për një shoqe ndërsa ajo po shkonte në tualet, por Harris ka një hijeshi të pakrahasueshme kur bëhet fjalë për veshjen.

Ndoshta kjo është çështja. Nëse një mashkull vishet mirë, ai mund të mbajë si aksesor çdo gjë. Një çantë e vogël që është një aksesor tradicionalisht femëror, ashtu si perlat dhe thonjtë e lyer, dalëngadalë po bëhen më të pranueshme edhe për burrat.

Më shumë