Kjo është koha e duhur se kur duhet të flini për një rrezik më të ulët të sëmundjeve të zemrës!

Klea Balliu
11/12/2021

Po shkoni në shtrat në kohën e gabuar? Gjumi i rehatshëm dhe i qetë është çelësi për të qenë më të shëndetshëm. Një gjumë i keq dhe pagjumësia mund të ndikojnë negativisht në përqëndrimin, nivelet e energjisë dhe mirëqenien tuaj. Por tani, ekspertët thonë se ju duhet të shkoni në shtrat në kohën e duhur përndryshe shëndeti juaj i zemrës do të ketë probleme. Sipas një studimi të ri, koha e duhur se kur duhet të flini gjumë për të pasur një shëndet sa më të mirë të zemrës tuaj, është mes orës 22:00 dhe 23:00. Zbuloni se çfarë saktësisht është kjo orë e veçantë që mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare dhe t’ju mbajë më të shëndetshëm.

Një studim i botuar në “European Heart Journal” në nëntor të këtij viti, tregon se si koha kur shkoni të flini mund të ndikojë në shëndetin tuaj. Studiuesit ekzaminuan mbi 88 mijë të dhëna për gjumin e pjesëmarrësve të këtij studimi, të cilat u mblodhën nga viti 2006 deri në vitin 2010, së bashku me pyetësorët që përfshinin stilin e jetës, shëndetin dhe vlerësime të tjera personale. Më pas panë nëse ata ishin diagnostikuar me sëmundje kardiovaskulare.

Ata zbuluan se 3.6% e pjesëmarrësve, kishin sëmundje të zemrës brenda 5 viteve që nga mbledhja e të dhënave të tyre. Çfarë kishin të përbashkët të gjithë pjesëmarrësit? Oraret e tyre të gjumit. Pjesa më e madhe e tyre, nuk shkonin në shtrat shumë herët ose shumë vonë por flinin përpara orës 22:00 ose pas orës 23:00. Pjesa tjetër  të cilët kishin rrezikun më të ulët të zhvillimit të sëmundjeve të zemrës, shkonin në shtrat midis orës 22:00 dhe 22:59.

Studiuesit dyshojnë se kjo orë mund të ketë një ndikim pozitiv në shëndetin tuaj kardiovaskular, sepse nuk prish ritmet natyrale të trupit tuaj. Në të kundërt, të shkoni për të fjetur përpara se trupi juaj të jetë gati për pushim ose të qëndroni zgjuar vonë mund të prishin ritmet natyrale, të cilat mund të luajnë një rol negativ në shëndetin tuaj të zemrës.

Teksa studiuesit ishin në gjendje të përcaktonin periudhën kohore për të fjetur si më të dobishme për zemrën tuaj, ata zbuluan gjithashtu se rreziku i pjesëmarrësve për sëmundje të zemrës rritej me oraret e hershme dhe të vona të gjumit. Sa herët ose vonë shkoni në shtrat mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në trupin tuaj. Personat që shkonin në shtrat përpara orës 22:00 kishin një rrezik 24% më të lartë për sëmundje kardiovaskulare. Ndërsa ata që flinin midis orës 23:00 dhe 00:00 kishin vetëm 12% rrezik më të lartë. Pjesa tjetër që shkonin në shtrat pas mesnatës ose më vonë ishin më të rrezikuarit, me një rritje prej 25%.

Pra, nëse shpresoni ta mbani zemrën tuaj të shëndetshme për vitet në vijim, mund të rregulloni orarin tuaj të gjumit. Të shkoni në shtrat midis orës 22:00 dhe 23:00 mund të ndihmojë, veçanërisht nëse e kombinimi me sjellje të tjera të shëndetshme për zemrën që mund të ndikojnë në rrezikun tuaj për sëmundje kardiovaskulare.

Më shumë