Disa këshilla thelbësore për shëndetin tuaj gjatë stinës së dimrit!

Klea Balliu
16/12/2021

Dimri është periudha më komode e vitit veçanërisht kur mendojmë të strukemi pranë një oxhaku, të shikojmë një pamje piktoreske të mbuluar me borë dhe të pimë një filxhan çaj të ngrohtë. Por ndërsa temperaturat ulen dhe moti bëhet i zymtë, nuk duhet të harrojmë të kujdesemi për shëndetin tonë. Ju njohim me disa këshilla thelbësore për shëndetin tuaj gjatë stinës së dimrit.

1. Largoni stresin me vitaminën B

Vitaminat B luftojnë stresin dhe ju ndihmojnë të keni një humor më të mirë. Vitaminat B kanë një rol pozitiv në trupin tuaj, duke përfshirë ndërtimin e neurotransmetuesve dhe ndihmën e enzimave që prodhojnë energjinë. Hulumtimet kanë treguar se vitaminat B mund të ndihmojnë për një humor më të mirë, duke ulur stresin. Në fakt, një studim i publikuar në “Journal of Human Psychopharmacology”, zbuloi se pjesëmarrësit që konsumonin ushqime që përmbajnë vitaminën B kishin një nivel më të ulët të ankthit dhe stresit në vendin e punës, si dhe përmirësim të humorit pas 90-të ditësh përdorim.

Një tjetër studim nga Universiteti i “Miami”-t vlerësoi efektet e vitaminës B dhe zbuloi se të rriturit që janë diagnostikuar me depresion përjetuan përmirësim të ndjeshëm në shëndetin e tyre mendor me suplementet e vitaminës B. Përveç suplementeve, një sërë ushqimesh janë të pasura me vitaminë B, duke përfshirë salmonin, perimet jeshile, vezët, mishin e viçit, pulën, gjelin e detit, kosin dhe majanë e birrës.

2. Konsumoni ushqime që përmbajnë Omega-3

Ndërsa temperaturat rriten, lëkura juaj mund të bëhet më e thatë ndërsa përpiqet të përshtatet me ajrin e ftohtë jashtë. Merrni më shumë Omega-3 nga ushqime të tilla si: avokado, arrat, vaji i ullirit dhe peshku me yndyrë. Gjithashtu përdorni çdo ditë një hidratues fytyre për të siguruar që lëkura juaj të ruajë shkëlqimin e saj gjatë stinës së dimrit. Suplementet e vajit të peshkut janë gjithashtu një mënyrë e mirë për të zëvendësuar marrjen e Omega-3.

3. Shtoni perimet në dietën tuaj

Disa nga perimet e ndryshme si: karrotat të cilat janë të pasura me vitaminë A, panxhari i kuq i cili bën mirë për zemrën, patate të ëmbla të pasura me fibra dhe selino e cila është e pasur me vitaminë K, ndikojnë pozitivisht në shëndetin tuaj. Përveç opsioneve të pafundme të recetave me perime, gjithashtu mund të konsumoni boronicat, brokolin, kungullin dhe lakrat e Brukselit. Një dietë e përqendruar në ushqimet e stinës bën që trupi juaj të marrë vitaminat kryesore.

4. Konsumoni më shumë mjaltë

Mjalti nuk është vetëm një ushqim i ëmbël, por ka edhe shumë efekte pozitive në trupin tuaj. Mjalti është studiuar gjerësisht për vetitë e tij shëruese të plagëve si dhe efektivitetin e tij kundër baktereve që mund të jenë rezistente ndaj antibiotikëve. Në fakt, një studim i fundit i publikuar në revistën “AIMS Microbiology” arriti në përfundimin se mjalti ka potencialin të jetë një alternativë natyrale antibiotike për shkak të përmbajtjes së tij unike në fenolike dhe metilglioksal. Konsumimi i rregullt i mjaltit ndihmon gjithashtu në përforcimin e memories tuaj si dhe ju forcon fizikisht.

5. Konsumoni lëng kockash

Lëngu i kockave është një ushqim tradicional i pasur me lëndë ushqyese dhe përfitime shëndetësore. Mund të zieni kockat dhe të merrni lëngun e tyre, më pas mund të shtoni disa perime dhe kështu bëni një supë të shijshme. Për këto ditë të ftohta dhjetori, supat e ngrohta me lëng kockash janë ideale dhe gjithashtu trupi juaj merr plot vlera ushqyese.

6. Konsumoni ushqime që përmbajnë vitaminë D

Është e rëndësishme që trupi juaj të jetë i pasur me vitaminë D, sidomos gjatë periudhës së dimrit kur koha është e zymtë dhe nuk ka shumë diell. Studime të panumërta kanë lidhur nivelet e ulëta të vitaminës D me osteoporozën dhe sëmundjet e tjera kronike, duke e bërë atë një mbështetje thelbësore për mirëqenien e përgjithshme. Në fakt, një studim i botuar në “British Medical Journal” zbuloi se vitamina D ul rrezikun e vdekshmërisë nga kanceri me 16%. Bëni një kontroll tek mjeku juaj për t’u siguruar që nivelet e vitaminës D në trupin tuaj janë normale.

Më shumë