Lehtësoni rrugën drejt menopauzës me këto ushqime që balancojnë hormonet!

Klea Balliu
25/12/2021

Menopauza është një fazë e natyrshme e jetës së çdo gruaje, por efektet anësore të luhatjeve të hormoneve janë të pashmangshme. Përveç kësaj, ndryshimet hormonale në menopauzë mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve serioze, duke përfshirë osteoporozën, kancerin dhe sëmundjet kardiovaskulare. Këto ushqime balancojnë gjendjen shpirtërore, lehtësojnë nxehtësinë e trupit dhe pagjumësinë. Gjithashtu luftojnë kancerin, mbrojnë zemrën dhe kockat tuaja.

1-Drithërat integrale

Drithërat integrale janë burime të shkëlqyera të karbohidrateve komplekse, thelbësore për prodhimin e triptofanit, një aminoacid që është pararendës i serotoninës, një neurotransmetues i lidhur me kujtesën dhe gjendjen shpirtërore. Studimet tregojnë gjithashtu se karbohidratet mund të lehtësojnë depresionin. Hikërrori është një zgjedhje e shëndetshme i cili është pa gluten dhe i pasur me vitaminën B, të cilat gjithashtu ndikojnë në përmirësimin e humorit.

2-Sardelet

Ashtu si salmoni, toni dhe peshq të tjerë yndyrorë, sardelet janë të pasura me acide yndyrore omega-3, të cilat mund të ndihmojnë në reduktimin e ndjesisë së nxehtësisë të trupit, zvogëlojnë rrezikun e osteoporozës dhe kancerit të gjirit. Yndyrnat omega-3 gjithashtu ulin nivelet e triglicerideve dhe mbrojnë zemrën  veçanërisht e rëndësishme për gratë që marrin terapi hormonale, e cila mund të rrisë nivelet e triglicerideve.

3-Farat e lirit

Farat e lirit janë burimi më i pasur i lignaneve, fitoestrogjeneve që janë strukturalisht të ngjashëm me estrogjenet dhe mund të zvogëlojnë rrezikun e kancerit të gjirit. Është treguar gjithashtu se liri redukton djersitjet e natës dhe ndjesitë e nxehtësisë në trup dhe gjithashtu përmirëson cilësinë e jetës gjatë menopauzës. Në hulumtimin e publikuar në “Obstetrics & Gynecology”, 40 gram fara liri në ditë kishin efekte të ngjashme me terapinë zëvendësuese të hormoneve për lehtësimin e simptomave të menopauzës.

4-Salca e domates

Salca e domates është një burim i përqendruar i likopenit, një antioksidant i fuqishëm që redukton rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Për më tepër, disa studime tregojnë se likopeni mund të zvogëlojë rrezikun e osteoporozës. Ndërsa domatet në përgjithësi janë të pasura me likopen, gatimi i tyre shkatërron muret qelizore dhe e bën likopenin më të disponueshëm, ndërsa shtimi i vajit të ullirit rrit më tepër vlerat ushqyese.

5-Fasulet e zeza

Fasulet e zeza dhe bishtajoret e tjera janë të pasura me fibra, të cilat ndihmojnë në mbrojtjen kundër kancerit të gjirit pas menopauzës. Ato përmbajnë gjithashtu vitaminën B e cila është e rëndësishme për humorin dhe magnez i cili mbron shëndetin e kockave, përmirëson gjumin dhe mund të lehtësojë ankthin dhe depresionin. Fasulet e zeza kanë nivele më të larta të antioksidantëve se fasulet e tjera, ato janë veçanërisht të pasura me antocianina të cilat mbrojnë nga sëmundjet e zemrës pas menopauzës.

Më shumë