“Don’t Look Up” është satira e munguar për ta nisur vitin me pak humor të zi, shumë të zi. Kritikë.

Ledion Liço
10/01/2022

Në traditën e filmave fanta-shkencë, “Don’t Look Up” përdor kornizën e një ngjarjeje apokaliptike si një metaforë për krizën e bazuar në realitetin që jetojmë. I mbushur me yje të Holliwood, filmi i ri i Adam McKay është një satirë ekstremisht provokuese që ndonjëherë del jashtë kursit të saj për shkak të ‘një guri që do të vrasë shumë zogj’, duke ngelur sidoqoftë një film i mirë.

McKay, i cili e ka shkruar skenarin me gazetarin/aktivistin David Sirota, sjell [aq] bukur krizën aktuale të klimës politike dhe mediatike në Amerikë e më gjërë (fundja jetojmë në një botë globaliste). Ditët që [po] jetojmë na kanë bërë miope për të dalluar një kërcënim ekgzistencial si ai i filmit. Titulli është emblema e historisë dhe realitetit, ku të gjithë dimë çdo gjë dhe asgjë, ku si struci përpara diçkaje madhore fshehim kokën në rërë.

Leonardo DiCaprio luan një rol jashtë zonës së tij të rehatit, një profesor astronomie, paksa avdall, Randall Mindy. Ai bashkë me partneren e tij në punë, Dr. Kate Dibiasky (Jennifer Lawrence) zbulojnë që një kometë po i afrohet tokës me shpejtësi dhe trajektorja e saj do të thotë pasoja shkatrimtare për planetin tonë. Koha për të bërë diçka është e shkurtër, jo më shumë se gjashtë muaj. Shpejt zbulimi i tyre ogurzi arrin muret e Shtëpisë së Bardhë ku Presidentja, Meryl Streep (një nga portretizimet e saj më për të qeshur), është më e shqetësuar për kandidatin që do t’i bënte punë në Gjykatën e Lartë se sa lajmi i [pabesueshëm] i fundit të botës.

Prej aty Randall dhe Kate mundohen të lajmërojnë publikun, meqë politikanët nuk [duan të] bëjnë gjë. Pasqyrimi i të përditshmes sonë të trishtë por të vërtetë, vazhdon me programin ku ata shkojnë për t’u intervistuar, ku dy ‘gazetarët e lumtur’ Tyler Perry dhe Cate Blanchett, e kanë më shumë mendjen tek audienca dhe klikimet sesa tek rëndesa e asaj që pritet të ndodhë shpejt. Sfrustrimi i dy shkencëtarëve i bën ata që të shpërthejnë, e në vend të merren seriozisht nga publiku, kthehen në memen e rradhës që mbyt rrjetet sociale.

Shpulla finale e farsës është përfshirja e një moguli miliarder (Mark Rylance) i cili ka një plan të tijin larg nevojës publike, ngjashëm me atë të liderve politikë, shqetësimi i të cilëve siç thotë personazhi i Jonah Hill, është…’Si do ndikojë kjo në zgjedhjet e ardhshme’.

“Don’t Look Up” është një film që i duhej Netflix-it, i duhej njerzve mbas viteve të vështira që po kalojnë. Është një satirë sarkastike e cila të bën të qeshësh duke menduar si është e mundur të kemi rënë kaq poshtë. Stili i Adam McKay kuptohet që nga minutat e para dhe krahasuar me filmin(at) e tij të nominuar për Oscar – “Vice” (“The Big Short”) – ruan të njëjtin intensitet gjenialiteti, kombinuar edhe me forcën e madhe tërheqëse të aktorëve që luajnë në të. Timothée Chamalet për shembull ka një skenë aq të vogël, por i jep filmit një shije dhe kuptim tjetër. Sigurisht ka patur prej kritikëve që e kanë quajtur prezencën e tij apo të dikujt tjetër të kotë dhe lëvijze marketingu për ta bërë filmin më popullor. Të vetmit mbi të cilët kritika mendon njësoj janë DiCaprio dhe Lawrence.

Janë të shkëlqyer!

Satira e “Don’t look Up” është në vazhdën e historive të McKay për të kritikuar rolin e (paqënë të) institucioneve në shekullin e 21, është e fortë e pamëshirshme për të zgjuar tek ne, mendjen dhe shpirtin e përgjumur të reagimit, i cili vazhdon të injorojë një krizë aq të dukshme.

Po jetojmë një pranverë në dimër… Edhe sa do ta injorojmë. Një gjë është e sigurt, filmin nuk duhet ta injoroni.

“Dont’ Look Up” është në Netflix.

Më shumë