Të gjithë kundër Kim Kardashian pas paraqitjes së saj në ‘Met Gala’ me fustanin ikonik të Marilyn Monroe!

Marisa Karabeci
04/05/2022

“Met Gala 2022” u rikthye para dy ditësh në Muzeun Metropolitan të Artit në New York. Tema e këtij viti ishte “Në Amerikë: Një Antologji e Modës”. ‘Met Gala’ tërheq rregullisht të famshmit si Rihanna, Kim Kardashian, Beyoncé, Lady Gaga, Taylor Swift, etj. Ylli televiziv Kim Kardashian shkëlqeu teksa ishte e shoqëruar nga i dashuri i saj i shumëdiskutuar, Pete Davidson, por mbi të gjitha tërhoqi vëmendjen fustani i saj, me vlerë 5 milionë dollarë, i cili është veshur nga Marilyn Monroe në vitin 1962 për t’i uruar ditëlindjen presidentit John F.Kennedy.

Për të veshur këtë fustan, Kim Kardashian humbi plot 7 kilogramë. Por, disa ekspertë të Marilyn Monroe nuk ishin aspak të lumtur me zgjedhjen e Kim. Michelle Morgan, autore e librit të vitit 2018 “The Girl: Marilyn Monroe, The Seven Year Itch, and the Birth of an Unlikely Feminist” u shpreh se:

Jam jashtëzakonisht e zhgënjyer që shoh këtë fustan ikonik 60-vjeçar duke u veshur në publik. Fustani është jashtëzakonisht delikat dhe më parë është mbajtur në kushte të kontrolluara nga temperatura, por tani ja ku është, jo vetëm duke u veshur, por edhe në një ambient tapeti të kuq, ku çdo gjë mund t’i kishte ndodhur.

Morgan vuri në dukje se djersa, parfumi dhe grimi mund të kenë hyrë në veshje dhe të kenë shkaktuar dëmtime dhe njolla. Megjithatë, Kardashian thuhet se shkoi pa grim trupi në këtë ngjarje. Për më tepër, një përfaqësues nga ‘Ripley’s’ tha për ‘The Post’ se ajo tregoi respektin më të madh për veshjen.

Ky nuk ishte vendim i lehtë për ‘Ripley’, megjithatë, Kim Kardashian ka vazhduar të tregojë respektin maksimal për këtë mundësi dhe veshje historike. Nga hulumtimi i gjerë deri tek ndjekja e udhëzimeve të tilla si mos grimimi i trupit, veshja e fustanit vetëm për paraqitjen e shkurtër në tapetin e kuq dhe duke mos bërë absolutisht asnjë ndryshim, ajo është kujdesur në maksimum.

‘Ripley’ i tha gjithashtu ‘The Post’ se asnjë dëmtim nuk i kishte ndodhur fustanit. Nina Boski, producentja e dokumentarëve dhe podcastit televiziv “Marilyn: Behind the Icon” vijoi duke thënë se:

Unë mund ta kuptoj pse Kim do të donte ta vishte fustanin për qëllime publiciteti, megjithatë, fustani duhet të ishte veshur vetëm nga një person dhe ajo është ikona Marilyn Monroe. Kjo nuk e ndihmon trashëgiminë e Marilyn-it, veçanërisht në 60-vjetorin e vdekjes së saj.

Scott Fortner është një historian dhe koleksionist i Marilyn Monroe dhe gjithashtu dha mendimin e tij për veshjen e Kim në Met Gala.

Kim e ‘theu’ internetin me pamjen e saj dhe ishte një mundësi për të dhe për ‘Ripley’. Por fansat janë të indinjuar sepse është një nga ato gjëra në komunitetin e Marilyn që konsiderohet e shenjtë. Fustani është elementi kryesor i Marilyn Monroe dhe është veshur një herë nga ajo. Askush nuk duhet ta kishte riveshur këtë fustan. Është e vështirë sepse Kardashian është një nga njerëzit më me ndikim në botë. Nëse do të ishte në dorën time, nuk do ta kisha lejuar thjesht për shkak të rëndësisë së pjesës në historinë kulturore amerikane. Por më lejoni të jem i qartë, kjo nuk ka të bëjë fare me Kim Kardashian.

Ndërkohë, fansat e Monroe ndanë gjithashtu mendimet e tyre në mediat sociale, dukshëm kundër veshjes së fustanit nga Kim Kardashian.

Më shumë