Për të patur borzilok të freskët gjithë vitin ndiqni këto këshilla!

Marisa Karabeci
17/06/2022

Sa herë që themi borzilok, gjëja e parë që na vjen në mendje është pestoja e famshme gjenoveze, e cila u jep një shije të shkëlqyer antipastave dhe makaronave. Por, erëza me aromën karakteristike është gjithashtu një aleat i shkëlyer i shëndetit pasi ka në përmbajtjen e saj antioksidantë, përbërës me veti anti-bakteriale dhe anti-inflamatore, si dhe substanca fitoushqyese shumë të dobishme për organizmin. Borziloku nuk gjendet gjatë gjithë vitit në treg, por ju mund ta ruani të freskët dhe ta përdoni sa më gjatë në këto dy mënyra.

Metoda e parë/Ngrirja

Vendosni në enën e përgatitjes së akullit gjethet e borzilokut. Mbështilleni me letër alumini dhe futeni në ngrirje. Pasi ato të kenë ngrirë duke ruajtur formën e tyre, mund t’i përdorni sa herë të keni nevojë.

Metoda e dytë/Nën kripë

Ndajini një nga një fletët e borzilokut dhe vendosini në një kavanoz. Pasi të përfundoni shtoni në të një lugë të madhe kripë, pak vaj ulliri dhe mbyllini kavanozin. Me këtë medodë borziloku do të jetë i freskët për 4-5 muaj, por kujdes kur gatuani me të, mos u shtoni kripë recetave tuaja.

Borziloku është një bimë popullore e Mesdheut që ka vlera ushqimore dhe mjekësore, të cilave i janë thurur lavde që në lashtësi. Borziloku ka një shije delikate e të ëmbël, madje dhe pak djegëse, por më të butë se rigoni.
Ilirët e përdornin borzilokun për të thurur kurora duke qenë se kjo bimë asokohe konsiderohej simbol i paqes, harmonisë dhe lumturisë.

Edhe Shqipëria ka një traditë të lashtë në kultivimin e borzilokut jo vetëm nëpër kopshte, por edhe në vazo në kushtet e shtëpisë. Tiranasit e vjetër gjithmonë e rrisnin në oborr, këpusnin një degëz dhe e mbanin në xhepin e vogël të xhaketës çdo herë para se të dilnin dhe herë pas here e nxirrnin me stil dhe e shijonin si erëmirë.

Kjo bimë ka shumë fitonutrientë, minerale, vitamina që janë të rëndësishme për shëndetin dhe mirëqenien e njeriut. Shumë prej elementëve kimikë që gjenden tek borziloku kanë vlera të mëdha kundër inflamacionit dhe baktereve. Borziloku i freskët ka vitaminë C dhe në 100 gramë të tij gjendet 86% e dozës së rekomanduar ditore të kësaj vitamine të rëndësishme që shërben si antioksidant dhe lufton radikalet e lira. Acidet e pranishme tek borziloku forcojnë imunitetin, përshpejtojnë shërimin e plagëve dhe luftojnë virozat.

Më shumë