“WeCrashed”. Historia sy-shqyese e një çifti të çartur që bëhen miliarderë në mënyrë të pabesueshme dhe humbasin gjithçka në të njëjtën mënyrë histerike. Kritikë

Ledion Liço
19/06/2022

“WeCrashed” është dramatizimi që AppleTv+ i ka bërë historisë së vërtetë të Adam Neumann dhe Rebekah, krijuesit e kompanisë ‘WeWork’, një nga kompanitë më të vlerësuara në bursën amerikane të shekullit të ri. Është nga ato historitë e vërteta që kur i sheh thua -po si ka mundësi?!.. Ndihmuar nga dy yje të Hollywood-it, Jared Leto (Neumann) dhe Anna Hathaway (Rebekah), ky mund të quhet pa frikë një nga prodhimet më të mira të AppleTv+ që prej fillimit të shërbimit të tij. Ngjarja nis me shtatorin 2019, në atë që mund të quhet fillimi i fundit për perandorinë që Adam ndërtoi në pak kohë si me magji. Bordi ekzekutiv i ‘WeWork’ janë duke marrë vendimin për të larguar Neumann nga pozicioni i CEO-s. Kompania e quajtur njëbrirëshi i kompanive teknologjike, e vlerësuar 47 miliardë dollarë nga bankat, nuk ja del të bëhet publike (një kalim i kompanive private në bursë, e cila shpjegohet shumë kuptueshëm në një nga episodet e serialit), vuan për shkak të zgjedhjeve të gabuara të krijuesit të saj.

Në ato pak skena fillestare arrin të kuptosh dinamikat e (pak të thuash të) e çuditshme mbi të cilat do të kalojë historia e “WeCrashed”, e cila përgjatë serive shkon para mbrapa mes të tashmes e të shkuarës duke treguar në detaje të gjithë rrugëtimin e Neumann dhe Rebekah drejt ‘WeWork’. Në vazhdën e disa serialeve televizivë amerikanë të suksesshëm të viteve të fundit me në qëndër strukturat ekonomike amerikane (shpesh të pakuptueshme për shikuesin mesatar; Edhe pse niveli i komplikimit i “WeCrashed” nuk është i atij të “Billions” apo “Succession”), prapë është e vështirë për ne të kuptojmë se si një kompani (në thelb)  pronash të patundshme vlerësohet me 47 miliardë dollarë (në kohën e pikut të saj) si kompani teknologjike?!… duke nënkuptuar aftësinë Neumann për të të shitur sapunin për djathë. Dhe se si vlerësimi i saj bie në 10 miliardë dollarë vetëm pasi shiheni disa dokumenta në të cilët kuptohet vërtet gjëndja e saj, duke treguar shumë për realitetin e botës kapitaliste dhe funksionimit të saj si molla e mrukullueshme nga jashtë por plot me krimba brenda.

Edhe pse skenari bën një punë shumë të mirë për të shpjeguar personazhet, të shkuarën e tyre dhe marrëdhëniet e ndërtuara e komplikuara prej lakmisë famës dhe çmendurisë që vjen nga këto të fundit, shpesh bie në një seri thjeshtëzimesh të cilat nuk i bëjnë nder dinamikave të komplikuara të historisë dhe personazheve, të cilët jo rradhë kthehen në klloun të jetës së tyre. Ajo që ndodh në Luginën e Silikonit (Silicon Valley) është një lloj erozioni moral duke kompromentuar busullat e principit të cilido që është i përfshirë, në një mish-mash të padallueshëm mes të ashtuquajturit vizion dhe të vërtetës absolute – gjithmonë nëse do të binim dakord që kjo e fundit [do të] ekziston[te] në parim.

Leto dhe Hathaway krijojnë një lojë të besueshme në martesën e tyre përbërë nga dy krijesa thellësisht narcize. Por njësoj siç ceka më lart asnjëherë ato personazhe nuk ngjajnë me njerëz të vërtetë. Mbase sepse jo të gjithë prej nesh janë të zakonshëm – mbase sepse Neumann ishte vërtetë një jashtë ‘planetar’ të cilit i vlerësohej puna po aq sa karizma, e që në marrëdhënien me të shoqen ishte aq mbështetës saç ishte edhe toksik.

Ajo që është plotësisht e vertetë është dashuria e tyre për njëri-tjetrin, një dashuri, apo quajeni çfarë të doni i rezistoi çdo gjëje të mundshme. Çifti janë ende bashkë sot e kësaj dite, ata kanë 5 fëmijë, dhe jetojnë larg paraleles së tyre të ekranizuar i cili më shumë sesa një rrëfenjë e së vërtetës amerikane të kohëve moderne, për mua është hiç më pak se një testament dashurie, nga ajo mbështetësja po aq sa ajo toksikja, ama nga ajo e vërteta.

Më shumë