E rëndësishme është të ruani qetësinë, ja çfarë të bëni nëse ju pickon grerëza në plazh!

Marisa Karabeci
04/08/2022

Piknikët verorë, udhëtimet dhe ditët në plazh mund të bëhen të sikletshme lehtësisht nga grerëzat që na afrohen, nëse kemi ushqime rreth e rrotull. Ekspertët thonë se grerëzat dhe bletët nuk na sulmojnë nëse nuk ndihen të kërcënuara ose nuk prekni folenë e tyre. Për të shmangur thumbimet shmangni parfumet dhe aromat, si dhe veshjet shumëngjyrëshe që tërheqin grerëzat. Nëse e gjeni veten pranë tyre, qëndroni të qetë!

Nëse jeni të pafat dhe pickoheni, helmi i grerëzës mund të shkaktojë ënjtje dhe dhimbje, por edhe shok anafilaktik nëse jeni alergjik. Disa nga simptomat janë kruajtje, marrje mendsh e të vjella, dhimbje barku, presion i ulët i gjakut. Ajo që duhet të bëni është të lani zonën e pickimit me sapun dhe ujë, aplikoni akull ose një kompresë të ftohtë për dhjetë minuta për të zvogëluar ënjtjen.

Shmangni gërvishtjet dhe prekjen e pickimit për të parandaluar infeksionin të përhapet. Gjithashtu, mos aplikoni asnjë preparat si vajra, kremra, uthull, xhel. Nëse shfaqen simptoma më të forta, shkoni tek qendra shëndetësore më e afërt. Ndërkaq, gjatë pushimeve nuk ka asgjë më të mirë se një notim i këndshëm në det, por gjatë argëtimit në ujë mund të ndodhë që të pickoheni nga një kandil deti. Nëse kjo ndodh, para së gjithash është thelbësore të qëndroni të qetë dhe të drejtoheni pa nxitim drejt bregut, më pas lani pjesën e prekur me ujë të detit dhe hiqni menjëherë çdo fije të mbetur.

Më shumë