Si të planifikoni pushimet e ëndrrave në Liqenin e Komos!

Anja Dervishi
22/11/2022

Disa nga hotelierët e vendeve më të bukura të liqenit të Komos, Carlotta Fontana dhe Valentina de Santis ndajnë rekomandimet e tyre prej eksperti për një pushim në liqenin italian si askush tjetër. Valentina de Santis, pronarja dhe CEO e “Passalacqua”-së së sapohapur sugjeron këto si disa nga pikat më turistike të Liqenit të Komos:

Maja e kodrës në pjesën e prapme të “Grand Hotel Tremezzo” quhet Belvedere dhe ofron një pamje të jashtëzakonshme. Bobo, sportelistja e hotelit më pret gjithmonë krahëhapur, duke më bërë të ndihem si në shtëpinë time dhe duke ma mbushur zemrën me dashurinë e Liqenit të Komos.

Për Carlotta Fontana, nga “Villa d’Este Hotels”, vendi i saj i preferuar në Liqenin e Komos është “Cascata Villa Pliniana”, një ujëvarë që përshkon vilën e lashtë. Ajo shprehet:

Është një vend vërtet i veçantë! E kuptova vetëm këtë vit, edhe pse kam qenë në liqen që kur isha vajzë e vogël. Kjo ujëvarë spektakolare ia vlen patjetër të shihet.

Një përvojë që ndodh vetëm një herë në jetë

Pronarja e hotelit “Grand Hotel Tremezzo” thotë:

Liqeni i Komos është një nga vendet e pakta në Itali që ofron mundësinë për të përjetuar një fluturim në bordin e një hidroavioni. Pra, nëse doni të admironi zonën nga qielli me gjithë madhështinë e saj dhe nuk keni frikë të hipni në një aeroplan të vogël me vetëm pak vende dhe të shijoni flladin e freskët që vjen nga dritaret e hapura ndërsa jeni në ajër, kjo është shumë përvojë e mrekullueshme dhe nxitëse e adrenalinës që nuk duhet ta humbisni.

Ndërkohë, Fontana rekomandon të bëni një turne me varkë në vilat më të bukura, si “Villa Carlotta”, “Villa del Balbianello” apo “Villa Olmo”. Këto vila historike janë tepër të bukura dhe elegante dhe përfaqësojnë kryevepra të vërteta të arkitekturës, të gjitha të rrethuara nga kopshte mahnitëse. Nga “Villa d’Este”, ju mund të bëni një xhiro me varkën prej druri 100% për të shijuar atmosferën e liqenit, për të arritur vilat ose për të admiruar madhështinë e maleve.

De Santis jep më shumë detaje mbi festimet e 150-vjetorit të hotelit:

Këtë vit, të ftuarit mund të shijojnë gjithashtu një sezon festiv shumë të veçantë në Villa d’Este, që sigurisht do të jetë një përvojë një herë në jetë. Prisni dekorime të mrekullueshme, shfaqje operash, fishekzjarre buzë liqenit dhe natyrisht një kuzhinë të jashtëzakonshme italiane.

Pamjet e paharrueshme që do të shikoni

Një nga shëtitjet e preferuara të de Santis në liqen të çon nga Tremezzo përgjatë një shtegu gjarpërues për të arritur në San Martino tek një kishë e vogël buzë shkëmbinjve. Valentina sugjeron:

Nëse doni një këndvështrim tjetër për të admiruar liqenin, ju sugjeroj të shkoni në qytetin e Komos për të marrë teleferikun për në Brunate dhe më pas nga atje të shijoni një shëtitje të shkurtër deri te fari, “Faro Voltiano”. Nga këtu në ditët e kthjellëta do të jeni në gjëndje të shikoni edhe Alpet, Zvicrën dhe Milanon.

Ushqimet lokale

Sa herë që de Santis ka miq që vizitojnë liqenin e Komos për herë të parë, ajo gjithmonë sigurohet që ata të provojnë ushqimin e tyre tradicional “toc”.

 Toc është një lloj i veçantë ushqimi, që i përket traditave të Bellagio-s dhe që mund ta gjeni vetëm këtu. Për të shijuar një “toc” të mirë, duhet të keni durim të prisni derisa ‘Maestro del Toc’ të përziejë tre përbërësit nga i cili përbëhet kjo pjatë e veçantë: miell misri, gjalpë dhe djathë vendas. Receta duhet të shijohet duke përdorur vetëm një lugë druri dhe duart tuaja, të shoqëruar nga salumi vendas, verë të kuqe, një shoqëri e mirë dhe shumë të qeshura.

Fontana shton:

Komo ka pjatat e veta unike të cilat duhet të provohen. Në të kaluarën, liqeni i Komos ka pasur një kuzhinë të thjeshtë dhe tradicionale, ku përbërësi kryesor është peshku i kapur nga liqeni, i cili është shumë i mirë me rizoto. Një specialitet tjetër i Comos-s quhet “Missoltini”, i cili është një peshk i vogël i sheshtë që gjendet në liqen, i cili kripet dhe thahet në diell.

Ky destinacion është i famshëm vetëm në sezonin veror, por vetëm vendasit e kanë parë me sytë e tyre bukurinë e vërtetë të liqenit, kur malet janë të rrethuara me dëborë.

Më shumë