“Pinocchio” Të mirët, të këqinjtë dhe të tmerrshmit e filmave që pas atij të Walt Disney-t në 1940. Kritikë

Ledion Liço
05/01/2023

Qëkurse Carlo Collodi publikoi librin e tij të 1883 “Aventurat e Pinokut” ekranizimi i personazhit ka ardhur në forma nga më të ndryshmet. I pari ishte Disney që e solli si film të animuar në 1940, më pas në 2002 Roberto Benigni si regjisor dhe protagonist e risolli duke e parë në një kënd të errët – dhe këtë vit jo një por dy filma e shohin kukullën prej druri që do të jetë një djalosh i vërtetë për protagonist. I pari ai i Disneyt – me Tom Hanks në rrolin e Geppetto-s, të cilin nuk e kam parë por për të cilin kritika ka shkruar fjalë jo të mira. I dyti qasja e regjisorit vizionar, fitues të çmimit Oscar – Gulliermo del Toro.

Filmi i parë i Disney-t edhe pse nuk ishte një sukses në arkëtime kur debutoi, konsiderohet si një nga filmat më të vlerësuar të kritikës dhe shikuesve. Pas daljes së tij të parë në 1940 doli me dhjetra herë në kinema në dekadat që pasuan, por suksesin e tij më të madh e pati gjatë Luftës së Dytë Botërore.

https://youtube.com/watch?v=V5XE1rwdzz0%3Ffeature%3Doembed

82 vite mbas tij Disney vendosi ta ri-sillte në ekranin e madh por kësaj here duke integruar edhe aktorët real në atë që quhet live-action film. Filmi ka për regjisor dhe skenarist Robert Zemeckis, një nga artistët më të dashur të filmave familjarë (mjaft të përmendim “The Polar Express” (2004). Kritiku Adrian Horton shkruan tek The Guardian se filmi nuk ka sjellë asgjë të re dhe se fare mirë mund të ishte shmangur. Richard Roeper i Chicago Sun Times nga ana tjetër e cilëson filmin si një performancë e jashtëzakonshme e gjithëanshme. Sidoqoftë vlerësimet në total janë më shumë të këqija sesa të mira.

https://youtube.com/watch?v=PQa9aNbb1Y4%3Ffeature%3Doembed

Roberto Benigni sakaq ka qënë i përfshirë në dy projekte me të njëjtin emërues. Fillimisht si regjisor përpara dy dekadash ku luante vetë Pinokun, e më pas si Geppetto në variantin e errët të personazhit të drunjtë, nga patrioti Matteo Garrone. Garrone dallohet për lojën me grotesken që prej filmit fitues të disa çmimeve “Tales of Tales” (2015) (Horror-fantazi). Ai ka emfatizuar elementet e errët dhe të trazuar të historisë frymëzuar nga emra të mëdhenj të kinemasë si Fellini, Gilliam apo Lewis Carroll. Përdorimi i efekte speciale në këtë përshtatje e bën filmin shumë joshës, dhe qasja disi serioze e bën atë më dinjitoz për një publik të ndryshëm nga ai që historia është mësuar të qaset ndër dekada. Kritika e ka quajtur filmin të vështirë për të gjetur një audiencë të vetën. Garrone sidoqoftë arrin të përshkruajë (herë herës deri në teprim) në mënyrë të mrekullueshme varfërinë, shëmtinë dhe dëshpërimin, dhe ti kthejë ato në temat e vërteta të filmit.

Dhe të vijmë tek i fundit, ose më mirë të themi më i riu, sepse nuk i dihet jetës. Duke ditur të shkuarën ku e dimë dot se dikujt mund t’i shkrepë në kokë për një tjetër film me Pinokun. Fituesi i çmimeve Oscar (kujdesuni për përdorimin e shumësit) Guillermo del Toro e sjell Pinokun në një musicalstop – motion për llogari të Netflix. Dhe që prej realizimit të parë të Disney-t gati një shekull më parë – ky është filmi më i arrirë nga të gjithë.

Vula vizuale e Del Toro-s është e pa-ngatërrueshme, po aq e fuqishme sa ajo e kolegëve Tim Burton apo Wes Anderson. Aftësia e tij për të të lënë gojëhapur vazhdon të ketë të njëjtën fuqi. Që prej “Pan’s Labyrhinth” edhe pse ai e ndan karrigen e regjisorit me Mark Gustafson, Pinoku i Netflixit është një prej filmave më personalë dhe më të arritur të Del Toro-s. Skenari i filmit injoron një pjesë edhe më të madhe të tekstit të Collodi-t nga ai i Disney-t dhe e sjell historinë në mesin e shekullit të 20, duke ndërfutur tema të forta si Europën mes të dy luftërave të mëdha, spektrin e gjërë të fashizmit, frikërat e fëmijërisë, botën e përtejme dhe pikëtakimet e saj me botën e të gjallëve, duke e kthyer këtë film në një arritje sublime të regjisorit i cili ka shkruar edhe skenarin.

Në këtë rrëfenjë, Geppetto – punuesi i përulur i drurit (David Bradley) ka një djalë të vërtetë që e humb prej bombardimeve të luftës së parë botërore. Vite më vonë, i dehur, ai krijon një marjonetë druri (Gregory Mann), prej dëshpërimit dhe faktit që nuk bënte dot paqe më realitetin – me një prekje prej Frankeshtajni. Pema e pishës që ai përdor ishte shtëpia e karkalecit Sebastian (Ewan McGregor), një rrëfimtar i cili po bëhej gati për të shkruar librin e jetës së tij. Ai do të bëhej dëshmitari i momentit kur zana (Wood Sprite – interpretuar nga Tilda Swinton) do të sillte Pinokun në jetë. Pinoku është i ndryshëm kryekëput nga Carlo, duke dëshpëruar Geppetton e duke e bërë këtë të fundit të pendohet për faktin që e gdhëndi. Del Toro këtu bën një zgjedhje të ndryshme nga të gjithë paraardhësit e tij, ai nuk e përfundon Pinokun, e lë ashtu, si gjysmë të përfunduar. Pamja e tij e jashtme është në një kuptim zgjatim i karakterit dhe botës së tij të brendshme.

Pinoku sfidon çdo simbol dhe situatë që i hidhet nga Del Toro.

Pse njerëzit e duan këtë por jo mua?!

… pyet ai përpara një statuje prej druri të Jezus Krishtit. Një frazë që rri me ty edhe në përfundim të filmit (ose edhe më tej).

Konti Dhelpër (Christoph Waltz), një drejtues i ndyrë cirku dhe Podesta (Ron Perlman), një zyrtar fashist, mundohen njëzëri ta nënshtrojnë marjonetën për interesat e tyre. Por kjo është e pamundur sepse djali prej druri e ka të pamundur të mos marrë anarkinë me vete ngado që shkel. Afër Duçes (Musolinit), në barkun e balenës apo në botën e përtejme.

Ky nuk është një film për fëmijë – pavarësisht personazhit. Satira e përdorur si dhe shtresat e shumta të humorit të zi indikojnë për një histori kushtuar një publiku të rritur. Alexandre Desplat (“The Shape Of Water”) bën një punë të shkëlqyer me muzikën që ndjek filmin, e cila është po aq magjike sa imazhi i tij.

Teknikisht dhe artistikisht ky film është absolutisht një vepër arti! Sipërmarrja e përdorimit të stop-motion-it është po aq titanike sa Avatari – edhe pse nuk bërtitet. E në fakt është aftësia e regjisorit të mos lërë artin të humbasë në teknikalitete. Sepse, mbase filmi, nuk arrin dot të përmbushë të gjithë qëllimet e tij, por arrin të jetë, dhe këtë mund ta them me gojën plot, Pinoku më i mirë i realizuar ndonjëherë.

“Pinocchio” është aktualisht në Netflix.

https://youtube.com/watch?v=Od2NW1sfRdA%3Ffeature%3Doembed

Më shumë