Gjithçka rreth Maribor, qyteti i dytë më i madh i Sllovenisë i frymëzuar nga arkitektura austriake!

Marisa Karabeci
06/03/2023

Maribor, qyteti i dytë më i madh i Sllovenisë është i frymëzuar nga arkitektura austriake, kultura e lashtë e verërave dhe kulinarisë. Ndërtesat me çati të kuqe reflektojnë fasadat e tyre nën ngjyrën e gjelbër të lumit Drava, i cili kalon mes për mes qytezës. Maribor, ka një pamje befasuese, e rrethuar me male të thyera, pyje të gjelbërta e të harlisur, shtëpiza të vogla dhe liqene piktoreske, kështjella dhe kisha që të japin ndjesinë e një vendi si të dalë nga bota e përrallave.

Qyteza është e famshme sidomos për prodhimin e verës. Njerëzit janë miqësorë, të përqendruar te ushqimi, sidomos te ëmbëlsirat dhe shija e pafundme e verërave. Niseni udhëtimin tuaj nëpër Maribor nga Grajski Trg, i cili është një nga sheshet kryesore të qytetit, por edhe më i madhi, ku do të gjeni disa nga atraksionet më të rëndësishme të Mariborit. Më e njohura që gjendet aty afër është kështjella e Mariborit, e cila daton në shekullin e 15-të, e ndërtuar në stilin barok, ndërsa aty pranë gjendet statuja e Shën Florianit, e ngritur në shekullin e 18-të për të mbrojtur qytetin nga zjarri.

Hardhia e Vjetër është atraksioni më i famshëm i Mariborit dhe ende prodhon midis 35 deri 55 kilogramë rrush dhe rreth 25 litra verë të kuqe në vit. Aty pranë gjendet taverna “Old Vine House”, ku mund të shijoni verën sllovene me një koleksion të rrallë verërash, ndërsa në dyshemenë e saj mund të shijoni një mozaik që tregon historinë e Mariborit. Rreth 300 metra në lindje të urës kryesore të qytetit gjendet Kulla e Ujit, me një formë pesëkëndore, ajo i takon shekullit të 16-të dhe ka një arkitekturë tërheqëse, e kombinuar me disa shkallë, që të çojnë drejt lagjes hebre.

Duke ndjekur rrugën, aty afër gjendet sinagoga, e cila është një objekt fetar gati 5-shekullor e dekoruar me gurë kyçe gotike dhe fragmente varresh, ndërsa brenda gjendet edhe një nga ekspozitat speciale me video 15-minutëshe. Katedralja e Mariborit gjendet në sheshin Anton Martin Slomšek, që mban emrin e peshkopit dhe politikanit slloven të lumturuar në vitin 1999. Ky objekt kulti ka një strukturë arkitektonike mbresëlënëse, e cila daton nga shekulli i 13-të, ku spikasin elemente të stilit roman dhe modern.

Një vend për t’u vizituar është parku i qytetit, një arboretum i mrekullueshëm me 150 lloje pemësh dhe tre liqene. Këtu do të gjeni edhe një akuarium dhe terrarium të vogël, me një koleksion të larmishëm gjallesash të ujit të ëmbël dhe të kripur, zvarranikëve dhe kafshë të tjera ekzotike. Në verilindje ndodhet Piramida 386 metra e lartë, më tutje kështjella. Brenda në kështjellë gjendet muzeu i qytetit, i famshëm për luksin dhe kjo duket qartazi nga fasada e deri në brendësi tek afresket mahnitëse të tavanit, ku çdo pavion përshkruan historinë kulturore, arkeologjinë dhe etnologjinë e rajonit.

Zona e vjetër e qytetit ka një fasadë të trashëguar nga kultura hasburgase, ndaj mund ta shijoni atë duke udhëtuar nëpër rrugicat e vogla të mbushura me kafene të shumta, që reflektojnë një kulturë të shkëlqyer shërbimi, nga mëngjesi deri në orët e vona të natës. Shumica e kafeneve gjenden në rrugën Slovenska, Postna si dhe përgjatë bregut të lumit, por një prej vendeve më të preferuara është kafene “Rooster”.

Një ndër kënaqësitë e rralla që ofron qyteti është vera. Në lagjen Lent do të gjeni hardhinë më të vjetër në botë. Ajo është rritur atje për më shumë se 400 vjet dhe është pjesë e Librit të Rekordeve Guinness si hardhia më e vjetër në botë. Ushqimet tradicionale sllovene janë unike. Pjatat tradicionale lokale kanë bazë mishin, por një kënaqësi me vete janë edhe ëmbëlsirat.

Prekmurska gibanica është një tortë e famshme, e cila përbëhet nga 19 shtresa, të gjitha të mbuluara me krem, vezë dhe gjalpë, dhe katër mbushje të ndryshme: gjizë, fara lulëkuqe, arra dhe mollë. Potica, ose rrotulla sllovene e arrave, është një ëmbëlsirë e cila daton nga viti 1575, me mbushje arrash dhe erëzash, tipike dedikuar për festën e Pashkës dhe Krishtlindjes. Mbi 90% e verërave që prodhohen në këtë zonë janë të bardha dhe të freskëta.

Më shumë