Mbi 30 mijë persona në vit vizitojnë kështjellën 700-vjeçare, një thesar për të gjithë të interesuarit në mekanikë dhe inxhinieri!

Marisa Karabeci
19/05/2023

Në oborrin e një kështjelle franceze 700-vjeçare ekziston një koleksion modern luftarak. Château de Savigny-lès-Beaune, në fshatin e vogël Burgundy, daton në shekullin e 14-të. Traditë e fshatit gjithmonë ka qenë prodhimi i verërave, por një koleksionist i pazakonte ndryshoi gjithçka. Michel Pont e bleu kështjellën në vitin 1979 dhe në 4 dekada, deri në vdekjen e tij në 2021, e ktheu atë në një thesar për të gjithë të interesuarit në mekanikë dhe inxhinieri. Christophe Pont, djali i Michel dhe pronari aktual i kështjellës tha se:

Babai im garoi me makina Abarth për 5 vjet, 1968-1973. Ai i mbajti makinat e tij dhe në të njëjtën kohë, filloi të grumbullonte edhe motoçikleta. Nga fundi i viteve 1970, kishte grumbulluar një koleksion të konsiderueshëm automjetesh, duke përfshirë 10 makina garash Abarth dhe më shumë se 300 motoçikleta të vjetra. Megjithatë, ishte vetëm fillimi.

Në mesin e viteve 1980, Pont i bëri një kërkesë Forcave Ajrore Franceze në lidhje me mundësinë e marrjes së një prej avionëve të tyre luftarakë të dekompozuar Mirage III, për ta ekspozuar në kështjellë. Kërkesa u pranua dhe 6 muaj më vonë, avioni do të bëhej simbol i koleksionit më të madh të avionëve luftarakë privatë në botë.

Rreth 100 avionë të markave dhe prejardhjeve të ndryshme, të gjithë të rreshtuar në mënyrë perfekte në mjediset e kështjellës. Lista përmban avionë francezë, amerikanë dhe helikopterë sovjetikë. Për vite me radhë, Michel dhe Christophe Pont kërkuan të gjithë Evropën dhe më gjerë, për të zgjeruar koleksionin e tyre. Avionët që mund të blinin i çmontuan dhe i sollën në Château-Savigny për t’i rimontuar.

Teksa ekspozita filloi të zhvillohej e të merrte famë, shumë shpejt babë e bir nisën të merrnin oferta për shumë lloje makinerish. Në këtë mënyrë, kështjella u nda në 9 zona të ndryshme ekspozimi, duke filluar nga satelitët dhe teknologjia hapësinore te traktorët dhe pajisjet e prodhimit të verës.

Një nga koleksionet më shumëngjyrëshe të Château-Savigny, janë ndoshta zjarrfikëset, për të cilën Pont bashkëpunoi me mikun e tij Jean-Claude Picot, i cili drejtonte këto automjete emergjence. Pas daljes në pension, Picot solli në vilë koleksionin e tij privat, i cili shfaq evolucionin e pajisjeve të zjarrfikëseve gjatë gjithë shekullit të 20-të. Gjithashtu, është dhoma e dedikuar për çështjet detare, edhe pse kështjella ndodhet shumë kilometra larg detit. Christophe Pont, tha se:

Për momentin nuk po kërkoj më të shtoj pjesë muzeale. Qëllimi im kryesor është të ruaj dhe të vazhdoj punën e babait tim. Duhet të siguroj vazhdimësinë e koleksioneve. Me këtë qëllim, kam shitur disa artikuj. Kjo më ka lejuar të ruaj disa nga pjesët më të vlefshme të koleksionit. Dëshiroj që pas 20 vitesh, koleksioni ynë të jetë pjesë e një muzeu të vërtetë dhe të mbrohet.

Çdo vit, kështjella mirëpret deri në 30.000 vizitorë që kërkojnë të shohin koleksionet e saj unike, por edhe të shijojnë verërat që familja prodhon nga vreshtat e saj.

Më shumë