“C’mon C’mon” një dramë familjare e bukur në formë po aq sa në përmbatje. Kritikë.
Regjisori Mike Mills ka dashur me hir e me pahir ta çonte historinë “C’mon C’mon” në një fotografi të pasur e të paharrueshme, duke rrezikuar që ta bëjë dramën e kohëve moderne artificiale. Joaquin Pheoenix luan Johnny-n një meso-burrë me profesion gazetar në radio, i vetmuar, e së fundmi i trazuar nga humbja e të ëmës. Ai dhe kolegët e tij shëtisin rrugët e amerikës duke takuar fëmijë të familjeve dhe komuniteteve të ndryshme duke i munduar ata me pyetjen:
Si e shikoni të ardhmen?
Lidhja e Johnny-t me fëmijët dhe admirimi i tij për inteligjencën e tyre është një prej gjërave që bie më shumë në sy, gati menjëherë tek personazhi; po aq sa fakti që është një dëgjues i mirë, sidomos i të vegjëlve, që është beqar, mbas ndarjes nga një marrëdhënie e gjatë me cilësi të dallueshme të zgjuarsisë e humorit genuin.
Mbas humbjes së të ëmës, marrëdhënia e tij me motrën Viv (Gaby Hoffmann), me të cilën më parë ishte shumë i lidhur, është e çalë, e tronditur nga themelet. Viv prej një viti thuajse nuk flet fare me të vëllanë, e hatërmbetur me sjelljen e tij gjatë kohës së sëmundjes së mamasë së tyre në betejën me alzhaimerin. Por vjen një ditë që ajo ka nevojë për Johnny-n, ndaj ai lë mënjanë të shkuarën dhe lë punët për ta ndihmuar në meselenë me partnerin dhe babain e djalit të saj, i cili vuan nga problemet mendore të bi-polaritetit. Edhe pse ka vite që nuk e ka parë të nipin, Jesse, tashmë 8 vjeçar, i duhet të kujdeset për disa ditë për të, ndërsa Viv shkon në klinikën e rehabilitimit të Paul (Scoot McNairy), tashmë në proces ndarjeje.
Johnny lidhet menjëherë me Jesse-n (i interpretuar nga Woody Norman, në një lojë që të ngroh zemrën) duke plotësuar në jetën e tij figurën e të atit, rolin më pak kontrollues dhe me më pak rregulla fanatike të së ëmës, nga ato që të ‘mërzisin jetën‘.
Për herë të parë e shohim Johnny-n të mundohet të jetë i rritur vërtet në jetën e tij, të mbajë përgjegjësi për dikë – në plot kuptimin e fjalës; ose të paktën të mundohet. Rrugëtimi i të dy personazheve në film është vërtet interesant, prekës dhe miklues. Lidhja mes tyre është një nga më të bukurat xhiruar nga një kamera me film bardh-e-zi ndonjëherë.
“C’mon C’mon” hyn në kategorinë e atyre që i quajmë filma jo të jashtëzakonshëm, por filma të mirë-bërë, që mund t’i kthehesh herë pas here për të kaluar një dy-orësh të këndshëm në divanin e shtëpisë. Fotografia monokromatike e Robbie Ryan i shton këtij filmi të ngjashëm në shpirt me “The Pursuit of Happiness” apo “Kramer vs Kramer” një element artistik që çdo skenë e bën si të shkëputur nga një libër [tavoline] me fotografi të pavdekshme. Boshti i filmit, drama familjare e trajtuar, nuk është ndër më origjinalet, por janë momentet e intervistave të personazhit kryesor me fëmijë ‘të vërtetë‘ që i japin këtij filmi autenticitetin që e dallon nga të tjerët. Të vërtetat e tyre [universale] të ndërthurura me trillin e filmit e bëjnë atë [më] shumë emocional.
Hoffman bie (më) tepër në sy se Phoenix në “C’mon C’mon” edhe për shkak të larushisë së emocioneve në ato pak skenat që ka. Nga ana tjetër, kimia e Phoenix dhe Norman është gjithaq e dashur për kameran në një ekpseriencë të dashur për sytë dhe zemrën.