Shkrimtari Ismail Kadare ka marrë nënshtetësinë e Republikës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar këtë të martë dekretin. Sipas saj, dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, është nderim për shtetin e Kosovës.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, u shpreh Osmani.
Dekreti i nënshtetësisë, shkrimtarit Kadare do t’i dorëzohet nga presidentja Osmani gjatë vizitës, e cila do të realizohet në Shqipëri në një periudhë të afërt.
Në qershor të këtij viti, Kadare u nderua me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti që Republika e Kosovës ndan për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.
Presidentja, pas nënshkrimit të dekretit, citohet të ketë thënë se “dhënia e nënshtetësisë ikonës së letërsisë shqipe, shkrimtarit Ismail Kadare është nderim i shtetit të Kosovës për krijuesin, i cili vazhdimisht është pikë e rëndësishme referimi për shqiptarët kudo në botë”.
“Republika e Kosovës dhe qytetarët e saj ndihen të nderuar nga personaliteti i shquar i kombit, shkrimtari ynë i përmasave botërore, Ismail Kadare, i cili me krijimtarinë e tij ka afirmuar gjuhën, kulturën dhe traditën tonë”, ka thënë Osmani.
Ismail Kadare, këtë vit është dekoruar me urdhrin “Hasan Prishtina”, urdhër i cili jepet nga Presidenca e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.
Autor i romaneve si “Prilli i thyer”, “Kronikë në gurë”, “Kështjella”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, si dhe shumë veprave tjera, Kadare, 87-vjeçar, është një nga figurat më të njohura të letërsisë shqiptare që nga vitet 1960.
Ai ka fituar shumë çmime për letërsi në mbarë botën përgjatë karrierës së tij, si dhe është përmendur disa herë si kandidat i mundshëm për dhënien e çmimit Nobel në Letërsi.
Veprat e tij janë përkthyer dhe botuar në rreth 30 gjuhë.