Expocity Albania organizon Edicionin e 4-të të Panairit të Ndërtimit “Ndërto dhe Jeto Smart”.

Sindi Metushi
19/10/2023

Në datat 25-27 tetor 2023, Expocity Albania organizon Edicionin e 4-të të Panairit të Ndërtimit “Ndërto dhe Jeto Smart”. Gjatë këtyre tre ditëve, organizata do të shërbejë si një platformë e rëndësishme komunikimi për aktorët më të rëndësishëm të sektorit të ndërtimit, arkitekturës, urbanistikës dhe publikut të gjerë. Krahas komunikimit efektiv, platforma do të nxjerrë në pah rëndësinë e koncepteve të reja për Shqipërinë, si zgjidhjet efektive, materialet dhe pajisjet e duhura, për të siguruar kushtet për realizimin e ndërtesave inteligjente dhe qyteteve inteligjente.

“Qytetet inteligjente, që plotësojnë nevojat e komunitetit, si hapësira të jetueshme, të pastra, të shëndetshme dhe tërheqëse, që ofrojnë lëvizshmëri novatore, të larmishme dhe të disponueshme, të përballueshme dhe të barabartë për të gjithë” mbetet një nga sfidat e diktuara nga koha jonë dhe një nga fokuset kryesore që do të theksohen gjatë gjithë këtij panairi.

Industria e ndërtimit përfaqëson një sektor i cili prej shumë vitesh ka qenë dhe vazhdon të jetë jetik për ekonominë shqiptare, duke u bërë një nga motorët dhe nxitësit kryesorë të zhvillimit ekonomik. Gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 janë miratuar gjithsej 397 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 251 leje të miratuara në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 58.2%. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesat e reja, në tremujorin e parë të vitit 2022, ishte 1,031,088 m2, nga 599,446 m2 të miratuara në tremujorin e parë të vitit 2021, duke shënuar një rritje prej 72,0%. Në tremujorin e parë të vitit 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa dhe punime inxhinierike ishte 39.0 miliardë lekë, nga 26.6 miliardë lekë të miratuara në tremujorin e parë 2021, duke shënuar një rritje prej 46.7%.

DITA / ORA

Gjatë gjithë ditës (E mërkurë)

VENDI

Expocity Albania

Autostrada Tiranë-Durrës

Më shumë