Më “IN” se kurrë, çizmet e trasha prej leshi në Rusi rekord shitjesh!

Marisa Karabeci
15/01/2024

“Valenki”, çizmet e trasha prej leshi që përbëhen nga materiale 100% natyrale të cilat janë veshur tradicionalisht nga rusët në mot të acartë, janë kthyer në një domosdoshmëri për qytetarët për shkak të uljeve të temperaturave. Valenkit zënë një vend të veçantë në kulturën ruse për shkak të mënyrës sesi mbrojnë këmbët kundër të ftohtit. Zakonisht, ato përdoren më shumë në fshat dhe shumë rrallë mund të shihen të veshura nëpër qytetet ruse. Këto çizme dikur ishin këpucët e dimrit të zgjedhura për ushtrinë ruse.

Një nga fabrikat më të mëdha “Valenki” në Rusi ndodhet në Yaroslavl, një qytet historik në lumin Vollga në veriperëndim të vendit dhe po prodhon qindra mijëra të tilla në vit. Kërkesa për këto lloj këpucësh ka qenë mjaft e qëndrueshme vitet e fundit, prodhohen rreth 400,000 palë në vit.

“Valenkit” e parë ishin mjaft të shtrenjta dhe vetëm njerëzit e pasur mund t’i vishnin ato. Në gjysmën e parë të shekullit të 19-të ato u përhapën kur filluan t’i prodhonin me metoda industriale. Këto këpucë janë një pjesë e rëndësishme e kulturës ruse pasi edhe një dhëndër zgjidhej nga valenkit e tij. Nëse dhëndri kishte veshur valenki, kjo do të thoshte se ai është një burrë i pasur. Sot ato janë kthyer si një element elegant në veshjet ruse të dimrit. Madje janë shfaqur edhe në pasarela të ndryshme.

Më shumë