Një studim i fundit zbuloi se njerëzit që hanin deri në 12 vezë të ziera në javë kishin nivele të kolesterolit të ngjashme me personat që kishin një dietë ushqimore pa vezë. Rezultatet e këtij studimi u publikuan në revistën shkencore të American College of Cardiology.
Në këtë eksperiment u përfshinë 140 njerëz me sëmundje zemre ose me risk të lartë për t’u prekur nga këto sëmundje, teksa u vendos që ata të konsumonin jo më shumë se dy vezë në ditë gjatë një jave. Eksperimenti zgjati katër muaj dhe studiuesit nuk panë efekt negativ në shëndetin kardiovaskular te njerëzit që hanin vezë çdo ditë. “Konsumimi i 12 vezëve të ziera në javë nuk ndikoi negativisht në kolesterolin e tyre,”-thotë mjekja Nina Nouhravesh.
Gjithashtu, rezistenca ndaj insulinës u përmirësua te këta persona që hanin vezë çdo ditë. Njerëzit mbi 65 vjeç në këtë grup madje panë rritjen e kolesterolit “të mirë” dhe ulje të kolesterolit “të keq”. A janë vezët të dëmshme për kolesterolin tuaj? Të gjitha studimet e fundit i “shfajësojnë” vezët nga ky pretendim, kështu që rezultatet e këtij punimi janë kaq befasuese.
“Vezët nuk janë armike të shëndetit, përkundrazi. Ato janë një burim i shëndetshëm i proteinave dhe lëndëve ushqyese dhe ju mund t’i shijoni sipas dëshirës në mënyrë të moderuar,”-thotë James O’Keefe, drejtor i kardiologjisë në Institutin e Zemrës në Cansas City. “Në shkencë, ne jemi krenarë që ndryshojmë mendje. Këto janë studime të reja dhe të fuqishme, ndaj këshilla e vjetër ishte e gabuar dhe ne nuk turpërohemi për këtë,”-vijoi ai. Një vezë në ditë nuk lidhet me rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare apo problemeve me nivelet e kolesterolit, ndaj mos hezitoni që t’i hani!