Një prej emrave më të shquar të skenës, ndahet nga jeta Zoica Haxho!

Silvia Tabaku
01/12/2024

Zoica Haxho, një prej emrave më të shquar të skenës dhe një prej pioniereve të baletit shqiptar, është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike. E lindur më 28 mars 1933, ajo i dha formë dhe shpirt baletit shqiptar, duke qenë një nga pionieret e këtij arti që e ngriti në nivelet më të larta artistike dhe njerëzore.

Qysh e vogël, Zoica kishte një dashuri të madhe për kërcimin. Me pasion dhe përkushtim, ajo ndoqi ëndrrën e saj, duke studiuar në Bashkimin Sovjetik në vitet 1950. Pas kthimit, ajo nuk ishte thjesht një balerinë në TKOB; ajo u bë zemra e skenës, prima balerina që magjepsi publikun për 33 vite me radhë. Interpretimi i saj i parë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, në rolin e Lizës në “Kujdesi i kotë” (1957), ishte veçse fillimi i një karriere brilante.

Zoica krijoi një galeri të mrekullueshme rolesh, duke mishëruar personazhe të paharrueshëm si Lola, Fadeta, Hajria, Cuca, Nica, Rina dhe Delina. Përmes plastikës, finesës dhe interpretimit të saj unik, ajo i dha shpirt çdo karakteri, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike. 20 premierat ku ajo shkëlqeu janë një testament i klasit të saj, ndërsa brezat që ajo edukoi si pedagoge pasqyrojnë përkushtimin e saj për të ndarë artin dhe vizionin e saj.

E nderuar me çmime dhe tituj të lartë, si “Heroinë e Punës” dhe Çmimet e Republikës, Zoica mbetet një simbol i vlerave të larta artistike dhe shpirtërore. Përtej titujve dhe medaljeve, ajo mbetet në zemrat e spektatorëve dhe kolegëve si një frymëzim i pashuar.

Si prima balerinë e Teatrit të Operës dhe Baletit për dekada me radhë, ajo u bë simbol i elegancës dhe profesionalizmit në kërcim, duke mishëruar rolet kryesore të repertorit kombëtar dhe atij ndërkombëtar.

Nga Lola në baletin “Lola” te Franceska në “Franceska da Rimini,” Hajria në “Halili dhe Hajria,” Delina në “Delina” dhe Cuca në “Cuca e maleve,” Zoica Haxho krijoi personazhe të paharrueshme, duke i dhënë shpirt dhe jetë çdo shfaqjeje. Plastika e saj unike dhe aftësia për të komunikuar emocionet me lëvizje e vendosën atë në majat e artit skenik.

Por roli i saj nuk përfundoi në skenë. Si një nga themelueset e Shkollës së Baletit, ajo i përkushtoi jetën edhe formimit të artistëve të rinj, duke ndarë përvojën dhe pasionin e saj me breza të tërë. Aktiviteti i saj 33-vjeçar skenik, i pasuruar shumë premiera baleti, dëshmon për përkushtimin dhe dashurinë e saj të pakufishme për artin.

Lajmin për ndarjen nga jeta të ikonës së baletit shqiptar e dha tetari Kombëtar i Operas dhe Baletit, si edhe Shkolla e Baletit.

“Largimi i saj lë një boshllëk të madh në artin shqiptar, por trashëgimia e saj do të mbetet një burim frymëzimi për këdo që synon lartësitë e këtij arti. Zoica Haxho nuk ishte vetëm një balerinë, por një ikonë e kulturës sonë. Kujtimi i saj do të vallëzojë gjithmonë në kujtesën e shqiptarëve”, shkruan drejtoresha e Shkollës së Baletit, Blerina Arbana.

“Pusho në paqe, Zoica Haxho, kontributi dhe trashëgimia jote artistike do të mbeten përjetësisht të ndritshme”, shkruan TKOB.

Më shumë