“Motel Makeover” sonte? Nëse nuk ju pëlqen interior design as mos u lodhni. Kritikë.
April Brown dhe Sarah Sklash janë dy mikesha shumë të ngushta të cilat në epokën e Instagramit menduan se mund të kthehen në sipërmarrëse duke kthyer motele të vjetra dhe të falimentuara në atë që në gjuhën e instagramit quhet ‘the it place’. Sprova e tyre e parë ishte rinovimi i një moteli të tillë në Prince Edward County, ON. Pavarësisht faktit se kishin zero eksperiencë në design apo hoteleri, vajzat ja dolën suksesshëm me “The June Motel”. Netfilx përfshihet për të ‘dokumentuar’ sipërmarrjen e tyre të rradhës në Souble Beach, në brigjet e liqenit Huron në Kanada. Seriali fillon para pandemisë dhe pjesa e tij më e madhe zhvillohet gjatë, ndaj le të themi që jeton bashkë me ne këto kohë të sfidash.
Pasi shohim në sekuenca të shpejta suksesin e tyre të parë, April dhe Sara-n i gjejmë në hotelin e ri që sapo kanë blerë – një rraqe, në plot kuptimin e fjalës. Një nga ato vendet e falimentuara, ku nuk është vënë dorë prej dekadash; një lloj shesh-xhirimi për filma me fantazma i dalë nga vitet ’80, ku buburrecat janë sa një mace dhe ku shija estetike është, pak të thuash, e dalë mode. Dhomat sidoqoftë janë të pastra por të thjeshta jo diçka që ‘e do instagrami’. Moteli ka edhe një pishinë, edhe pse e gjejmë të mbuluar nga bora në sekuencat e hapjes. Dy shoqet dhe skuadra e tyre kanë 600.000 $ buxhet për ta kthyer në motelin në jo vetëm funksional – por një vend që publiku mezi pret ta jetojë (dhe sigurisht dokumentojë në instagram – po ashtu nëse nuk jeni fans apo përdorues i thekur i instagramit as mos ju fusni fare ta shihni serialin). 600 mijë dollarë dhe 5 muaj për të mbaruar projektin përpara verës (2020 – seria e parë është xhiruar në Janar të 2020, kështu që e dini se çfarë vjen më pas). – A do t’ja dalin?! – sfidat janë të mëdha, buxheti dhe koha të limituara – pandemia bën të vetën.
Nëse ju kanë shijuar në të shkuar programet e ndryshimeve të shtëpive në TLC apo stacione të ngjashme atëhere ky serial do t’ju kujtojë pikërisht këtë, në të kundërt as mos u lodhni të harxhoni 3 orë të ditës tuaj. “Motel Makeover” më shumë sesa një ‘Ekstreme Makeover’ është një show design-i, madje ju jep shumë këshilla praktike dhe të vlefshme se si mund ta ndryshoni cilësinë e shtëpisë apo biznesit tuaj me pak shpenzime. Nga ana tjetër diçka që nuk është shumë favorizuese për serialin është ‘aktrimi’ i dy protagonisteve, të cilat nuk janë aq vetja, sesa një version i Paris Hilton i viteve 2020. Të kuptohemi, nuk është se ato po luajnë një personazh aty, janë sipërmarrëse që kanë investuar kursimet e tyre për të ngritur një biznes, por manierat e tyre tingëllojnë artificiale dhe të stisura, deri të bezdisshme.
Pavarësisht gjithçkaje emocioni i garës kundër kohës për të sjellë në jetë motelin e tyre të ëndrrave është i pranishëm – vjen vrullshëm bashkë me kënaqësinë e ndryshimit, i cili është shumë i kënaqshëm, aq më shumë kur mendon shpenzimin minimal për të. Hoteli u hap 4 muaj me vonesë për shkak të Pandemisë, në Shtator 2020, pra bonusi për shikuesin është një fund i lumtur, të cilët nuk kanë qënë të gjithë të lumtur me të. Por nëse pritshmëritë i keni të qarta nuk ka pse të mos ju pëlqejë.
“Motel Makeover” ka 6 epiosde nga rreth 30 minuta secili, e gjeni në Netflix.