“Paw Patrol: The Movie” Filmi i parë i serialit të famshëm është një hit i menjëhershëm! Kritikë.
Ndërsa shumë prej filmave të animuar për fëmijë kontrabandojnë vlera të rriturish në përmbajtjen e tyre, në një përpjekje (mbase) për të argëtuar edhe prindërit që shoqërojnë fëmijët në sallat e kinemave filmi i parë i suksesit të animuar Patrulla e katër-putroshëve është vetëm për fëmijë, pra tip 4 vjeçarët mund të kënaqen, ka zero ironi. Për ata që nga dëshira ose pamundësia i lënë fëmijët e tyre që në moshë të vogël të përdorin teknologjinë (telefonat e zgjuar, iPad-et etj) varianti serial i Paw Patrol është një dado fantastike – nuk ke pse ta vrasësh mendjen për ndonjë skenë me dy kuptime apo gjuhë të rriturish; në kinema fëmijët duhen shoqëruar – jo se ndryshon filmi nga seriali – por sepse nuk shkojnë dot vetëm. (mbase mund të shkonin vetëm, nëse kinemaja do ishte në katin e parë të godinës ku ke shtëpinë dhe ti ke një feed të kamerave të sigurisë)
Filmi ka regjinë e Cal Brunker. Imazhet e gjeneruar nga rendera kompjuterikë janë plot jetë e shprehi, diçka që shihet tek sytë e personazheve, të vjetër e të rinj, si për shembull Liberty – një qenushe rruge e cila do të bëhet ndihma më e madhe e skuadrës në misionin e tyrë të rradhës në qytetin e aventurave. Qyteti tashmë është nën zgjedhën e kryebashkiakut më të tmerrshëm e të paaftë që mund t’ju kenë zënë sytë – Humdinger – për ata që shohin serialin një personazh i famshëm. Po ashtu një nga qenushët më të pëlqyer të Patrullës Chase (zëri i Iain Armitage) do të kalojë një krizë identiteti kur niset për në qytetin që i kthen kujtime të këqija.
Sigurisht ata që janë mbi 6 vjeç mund të bëjnë disa pyetje ndërsa janë duke parë filmin.
Si ka mundësi që nuk rriten qenushat pavarësisht viteve që kalojnë? (Chase shpëtohet kur ishte këlysh i vogël nga Ryder, por tani kohë më vonë është prapë këlysh.. hmm)
Si ka mundësi që Nick Fury i Paw Patrol – Ryder, shefi i tyre, po ashtu ngel po aq i ri, a thua se i ka zënë ndonjë mallkim i M.Night Shyamalan…
Si ka mundësi që pavarësisht sa i paaftë dhe i tmerrshëm është kryebashkiaku Humdinger, nuk ka një njeri tek bashkia e Qytetit të Aventurave që ti thotë që po gabon ose ta ndalojë në budallallëkun e tij?
Si ka mundësi që kryebashkiaku të ngjan (po shumë ama) me kryebashkiakë ose politikanë prej mishi e kockash? (A ngjan me të Tiranës duhet ta shihni filmin e ta vendosni vetë)
E ndërkohë që ti, i rrituri, vret mendjen për këto, filmi ka mbaruar, fëmijët janë aq të kënaqur sa po rrinë të shohin edhe titrat e mbylljes duke biseduar për leksionin e kurajos, shpirtin e skuadrës dhe se është ok të dështosh ndonjëherë, gjëra që kanë ‘mësuar’ prej tij.