“The White Lotus”! Një satirë brilante për ata që kanë stomak për humor të zi në kohën e ‘Cancel Culture’. Kritikë.

Silvia Tabaku
07/12/2021

Kishte kohë që nëpër feed-e rrjetesh sociale flitej për të ashtu-quajturin serialin më të mirë të verës, madje një nga më të mirët e vitit. Traileri e shet lirë serialin e ri të Mike White për HBO “The White Lotus”, një tragji-komedi e cila kafshon nga realiteti social ku jetojmë dhe në gjashtë seri nga 60 minuta (ose pak më shumë secila) shija që do t’ju lërë është nga ato që mbahen mend gjatë.

Një varke e mbushur me Amerikanë të pasur çan oqeanin në skenën e hapjes drejt një resorti luksoz në Hawaii. Në breg priten nga një pjesë e stafit të hotelit, sigurisht një tjetër klasë sociale dhe etnikisht të ndryshëm. Ballafaqimi i tyre është si ai i dy anëve të një ekuacioni matematikor, që ekuivalencën e ka iluzive.

Sillu sikur e beson atë që thua!

I thotë Armond (Australiani Murray Barlett) Lanit (Jolene Purdy), stazhistes vendase që është në ditën e saj të parë të punës.

Mike White ka shkruar për Hollywood-in ‘masiv’ si “School of Rock”, “Freaks and Geeks” apo e fundit gjithashtu në HBO “Enlightened” dhe kjo që ka bërë me “The Whitë Lotus” është thuajse perfekte. Njësoj si tek seriali me Laura Dern, aty ku një grua në karrierë mundohet ti kthehet jetës së saj pas një traume të fortë, White ekzaminon përplasjet mes klasave sociale, pushtetit, parasë, racës dhe gjinisë në të përditshmen tonë me një finesë të jashtëzakonshme, që e bën shikuesin ta gjejë veten fare kollaj.

‘Fëmijët’ e hotelit janë familja Mossbacher: Nicole (Connie Britton) një drejtoreshë në një kompani teknologjike, Mark (Steve Zahn), bashkëshorti i saj ‘shtepiak’ dhe fëmijët e tyre; 16 vjeçari i fiksuar pas pornos Quinn (Fred Hechinger), vajza e tyre rrebele dhe arrogante Olivia (Sydney Sweeney luan makthin e çdo prindi) dhe shoqja e saj Paula (Brittany O’Grady). Po ashtu çifti i sapomartuar Shane (Jake Lacy) nga një familje e kamur dhe gruaja e tij gazetare part – time Rachel (Alexanda Daddario), e cila i është futur detit në këmbë pa e kuptuar. Tanya (Jennifer Coolidge) një pasanike meso-grua e alkoolizuar e cila udhëton me hirin e nënës së saj. Të gjithë personazhet e serialit janë një farë anti-heronjsh veç menaxheres së Spa-së Belinda (Natasha Rothwell) e vetmja e pëlqyeshme nga seria e parë tek e fundit!

Ai që nis si një udhëtim anti-stress do të kthehet shpejt por gradualisht në një makth dhe ri-zbulim të vetes për të gjithë personazhet. Konflikti nuk është një por janë disa paralelisht dhe gërshetimi mes tyre në një përshkallëzim në montazh është gjenial po aq gjeniale sa fotografia, sekuencat përkundëse dhe kolona zanore e cila të mban në cep të divanit. Të bardhët e pasur të historisë janë po aq ‘të dhjerë’ sa të varfërit etnik të tij duke shuar njëherë e mirë (nëse akoma nuk është shuar) idenë se hallet e atyre që kanë para e pushtet nuk ekgzistojnë, duke i ndenjur postulatit ‘halle halle kjo dynja’. “The White Lotus” i shikon hallet e të gjithëve me kutin e gjithësecilit pa i gjykuar, por duke i ballafaquar gjatë gjithë kohës me rezultate që do t’ju lënë pa fjalë por duke ju argëtuar shumë.

Përplasja e kastave vjen aq realiste në të gjitha linjat e historisë mes Belindës dhe Taynas, Paulas dhe Olivias e familjes së saj, dy të sapo-martuarve. Kur diferenca e parasë dhe pushtetit mes dy njerzve është kaq e madhe njëri do e pësojë gjithmonë dhe asnjëherë nuk është i pushtetshmi pavarësisht se moralisht ai është i ‘keqi’.

Sigurisht që imperializmi ishte i gabuar, po ky është njerëzimi, është historia, Amerika!

(Bota, mbase). Sepse modeli imperialist është ai që mbizotëron. “The White Lotus” është një serial i ndërtuar mbi raste studimi – por nis me një ‘twist’ kurioz që në fillim – dikush ka vdekur në Resort, në javën që Shane dhe të tjerët ishin aty, të duhet të presësh 6 seri për të kuptuar se kush dhe është e pamundur të kuptosh se kush derisa ndodh sepse të gjithë personazhet janë gjatë gjithë kohës afër vet-vrasjes. Edhe pse ky është i vetmi rast kur White përdor tregimin jo-linear si një çengel kuriozititeti në mendjen e shikuesit, vazhdimi rrjedh vrullshëm, furishëm me ngjarje të cilat të bëjnë të ri-vlerësosh veten.

HBO ka sjellë vitet e fundit histori të fuqishme të parasë dhe pushtetit, mjaft të përmendim “Succession” (Rikthehet në Shtator) por vetëm “The White Lotus” ka një lloj klaustrofibiteti edhe pse shumica e skenave janë eksteriere në pejsazhin magjik të Mauit (Hoteli ‘The White Lotus’ nuk ekgziston, për 4 javë është mbyllur Four Seasons Hotel për të xhiruar serialin). White si ish konkurent në reality show si “The Amazing Race” apo “Survivor” servir dialogje shumë të thjeshta, të shpejta por të fuqishme, naive e njëkohësisht realiste. E alla Survivor të gjithë jemi kurioz pas një jave në ishull kush do t’ja ‘dalë’?!

A do më fundosësh edhe mua me ty?

-Dillon, i thotë Armond-it.

Ç’të plasi trapi, mezi bën dy lekë, Ata më shfrytëzojnë mua, unë ty, kështu është kjo punë.

Një nga dialogjet më të forta të historisë ndjekur nga një skenë po aq e fuqishme është trashëgimia e pasqyrimit me detaje sfilitëse të jetës së të pasurve dhe shërbyesve të tyre. Plot humor të zi dhe batuta të zgjuara, “The White Lotus” është çdo gjë e mirë që keni dëgjuar për të, gjithmonë nëse nuk jeni njerëz që ofendoheni lehtë, sepse fundja jetojmë në kohën e Cancel Culture, sipërfaqësores dhe sejcili ka të drejtë… konkluzioni është mungues, në fund, ajo që kuptojmë është që jeta vazhdon, dhe bashkë me të edhe zgjedhjet tona.

“The White Lotus” do të ketë një sezon të dytë, me shumë gjasë verën e ardhshme në një tjetër ishull, me personazhe të reja, edhe pse – siç ka thënë Mike White – ndonjëri prej tyre mund të rikthehet!

Përveç njërit, atij që vdiq…

Më shumë