“Woodstock ’99” pak histori (e nevojshme) muzikore për brezin që diva u duket Genta Ismajli… Kritikë.

Silvia Tabaku
07/12/2021

Është një brez edhe në Shqipëri që Woodstock-un e ’69 e mbajnë si ngjarjen më të rëndësishme muzikore ndonjëherë, po xhanëm është një brez në botë që e mendojnë ashtu, prej artistëve që u ngjitën në skenë përpara 400.000 + njerëzve, momentit ku ishte bota, filmit i cili e bëri ngjarjen idilike, etj. Ky brez e njeh mirë historinë e dy festivaleve që pasuan “Woodstock ’94 & ’99”, për të tjerët Woodstock është një term i dëgjuar – po për të cilin dinë pak, edhe më pak për dy festivalet e viteve ’90.

Njësoj si festivali mëmë Woodstock ’99 duhet të ishte tre ditë ‘Seks, drogë dhe rock&roll’ por u kthye në tre ditë turmash piromane, dhunë, përdhunime mbushur me muzikë mizogjene dhe seksiste. Përgatituni për të parë imazhe grotestke që nuk i rrinë aq një festivali muzikor sa një proteste Trumpistësh në dokumentarin e HBO – “Woodstock ’99: Peace, Love and Rage”. Çudi është si një film për të bëhet kaq vonë kur kemi jo një po dy dokumentarë, të dy po kaq shokues, për një festival që nuk u mbajt kurrë – “Fyre Festival” (filmi për festivalin e parë të Woodstock doli një vit më pas). Premisat për film Woodstock ’99 i ka që kur ngjarja zhvillohet në një ish-bazë ushtarake (ironike) së cilës i vihet flaka ndërkohë që Red Hot Chili Peppers këndojnë “Fire” të Jimi Hendrix:

I have only one a-burnin’ desire
Let me stand next to your fire

pak minuta pasi kryetari i bashkisë së Romës (New York) i kërkon të qetësonin turmën e ngërdheshur.

Fillimisht pak kontekst i nevojshëm. Në fillim të viteve ’90 filloi një lëvizje ‘kundër’ pop-it mainstream të deri atëhershëm (Michael Jackson me shokë), një rrymë e re u përqafua vrullshëm nga të pakënaqurit – Grunge i përfaqësuar nga Nirvana, Pearl Jam etj. Të mbështetur fort nga MTV-ja e cila në atë kohë ishte si instagrami sot, pra ligj për publikun e gjërë, Kurt Cobain dhe të ngjashmit u kthyen në idhuj njejtë me John Lennon-in në vitet ’60 – ’70. Por me vdekjen e Cobain në 94, aq e pat edhe Grunge, dhe brenda pak kohësh MTV dhe shtëpitë e mëdha diskografike kuptuan ku ishin paratë – tek adoleshentët e bardhë pjesë e vëllazërive të universiteteve amerikane duke bërë që brenda natës – programe si TRL (Total Request Live – kush e ka jetuar e mban mend ndikimin e tij) të ulin nivelin e moshës së audiencës me 10 vjet dhe mainstream-i të kalonte nga Nirvana dhe Fugees tek Backstreet Boys, N’Sync, Britney Spears dhe Christina Aguilera në njërën anë dhe Nu Rock-u nga ana tjetër – një mësymje e artistëve të bardhë në kulturën e afro amerikanëve – rrap me kitarrë elektrike – Limp Bizkit dhe Fred Durst ishin në qëndër. Po ashtu politikisht amerika po kalonte një moment të mirë, me rritje ekonomike, mungesë papunësie, paralelisht shkonte hetimi i akuzave për abuzim seksual të presidentit të asaj kohe Bill Clinton ndaj Monica Lewinsky-t, e sigurisht një gjëndje e nderë pasigurie për çfarë do ndodhte me ardhjen e mijëvjeçarit të ri. Po ashtu më herët atë vit ndodhën të shtënat në gjimnazin Columbine ku si për rastësi një prej vrasësve kishte frymëzim Fred Durst (Limp Bizkit) dhe muzikën e tij.

Garret Price dhe Bill Simmons dokumentojnë me pamje rrënqethëse se si 22 vite më parë turma adoleshentësh të bardhë do të luanin me jashtëqitjet e tyre (literalisht) do ti vinin zjarrin gjithçkaje, do të përdhunonin dhe vrisnin. Skena lufte më shumë se skena festive të një ngjarje muzikore që bashkonte artistë nga Moby tek Metellaica, nga Limp Bizkit tek Alanis Morissette nga Jamiroquai tek Korn. Ka kaq shumë material që prihet shkurt sa të vjen keq që dëshmitë e protagonistëve nuk janë ndarë në seri.

E si në një post-mortum “Woodstock ’99” mundohet të kuptojë se çfarë shkoi gabim – duke vënë gishtin në plagë. Mbase temperaturat e larta, vendi ku u mbajt festivali (një fushë aviacioni ushtarake e braktisur), mungesa e rregullit dhe sigurisë, artistët që kënduan dhe muzika e tyre – uji që kushtonte 4 dollarë shishja…

Përmes fjalëve të organizatorëve, atyre që morrën pjesë, stafit të sigurisë së festivalit dhe gazetarët që mbuluan ato tre ditë ferri do të zbuloni se ku i ka rrënjët amerika e Trumpit dhe se sa e vështirë është për disa të kuptojnë se momenti i tyre ka ikur pavarësisht se vazhdojnë ti bien ‘qemones’. Brenda më pak se dy orëve do t’ju ç’bëhet lehtësisht imazhi që keni krijuar për artistë që i keni adhuruar dhe një festival që e keni idealizuar, sepse fundja kjo është njerëzore – kur diçka nuk është më, kemi tendencën të kujtojmë vetëm anën romantike të saj dhe jo çka ndodhi në të vërtetë.

John Scher thotë diçka shumë domethënëse (si përgjigje për vajzat e abuzuara seksualisht) në festival:

Pjesërisht është faji i tyre, ngaqë dilnin me cicat jashtë

Kjo dhe MTV News e media të tjera, sipas tij e bënë Woodstock-un të duket keq.

Por faktet janë aty, këndvështrimet po ashtu – ju takon juve, pasi ta shihni të mblidhni mendjen…

Woodstock ’99 ishte festivali i fundit i këtij lloji, pavarësisht përpjekjeve të organizatorëve për ta risjellë në 2019, të cilat dështuan!

“Woodstock ’99” është një leksion i mirë historie, sidomos për brezin e ri, i cili disa gabime duhet ti bëjë vetë, por disa mësime nga e shkuara duhet ti nxjerrë!

Më shumë