Aktivitetet e “Tirana, kryeqyteti Evropian i Rinisë”, Ermal Meta: “Kini gjithmonë besim në veten tuaj…”

Anja Dervishi
04/02/2022

Në muajin dhjetor Tirana mori zyrtarisht stafetën si Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022. Si Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022, Tirana do të ketë një program ambicioz që do të synojë të adresojë nevojat e të gjithë të rinjve të saj dhe do të përpiqet të lidhë qytetin dhe rininë e tij me vlerat evropiane.

Thënë kjo, çelet sot zyrtarisht sipari i aktiviteteve të vitit 2022 ku Tirana është shpallur Kryeqyteti Europian i Rinisë. Në një ceremoni të posaçme me qindra të rinj që do jenë pjesë e eventeve të “Tirana European Youth Capital 2022” u shpalos programi dhe risitë që do të sjellë në Tiranë ky titull që jepet pikërisht në një vit të shpallur edhe nga KE si viti i Rinisë.

I pranishëm në aktivitet është ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Të rinjve iu drejtua me një mesazh edhe këngëtari i njohur Ermal Meta, para se të këndonte disa këngë italiane. Ai u shpreh:

Kini gjithmonë besim në veten tuaj dhe mos lini njeri të tregojë të ardhmen tuaj. Të ardhmen mund ta vizitoni vetëm ju, vetëm ju dini ta pikturoni.

Drejtoresha Ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar, Dafina Peci, në çelje të këtij eventi theksoi se ka pasur një boom aplikimesh nga të rinjtë për aktivitete gjatë këtij viti.

Morëm 1100 aplikime nga të rinj nga i gjithë vendi. Të gjitha do kthehen në një kalendar shumëngjyrësh aktivitetesh dhe mundësish.

Ndërsa Aspasjana Kongo, Koordinatore e Përgjithshme TEYC 2022, u shpreh se ky titull për Tiranën ka thyer 3 rekorde.

Tirana e ka marrë titullin si Kryeqyteti Europian i Rinisë që në aplikim. Rekordi i dytë është sepse për herë të parë këtë titull e merr një kryeqytet dhe së treti, ky program ka një shtrirje në të gjithë territorin e vendit.

Ylli i muzikës botërore, shqiptarja Dua Lipa, përmes një videomesazhi drejtuar të gjithë të rinjve shqiptarë ka premtuar një tjetër vizitë në Tiranë në kuadër të aktiviteteve për “Tirana, kryeqyteti Evropian i Rinisë”. Ajo u shpreh:

Tirana ka një vend të veçantë në zemrën time. Në Tiranë e ndjej veten si në shtëpi. Paçi fat me organizimin e mbi 1000 aktiviteteve dhe jam e sigurt që do të jenë një sukses i garantuar. Ju dua shumë!

Më shumë