Një shfaqje brenda shfaqjes! Rikthehet “Edmond”, komedia me 85 skena ku aktorët luajnë disa personazhe njëkohësisht në 2 orë e 10 minuta!

Anja Dervishi
31/03/2022

Komedia “Edmond”, vepër e autorit Alexis Michalik me regji të Indrit Çobanit dhe Andia Xhungës ka qenë shfaqja e parë që është mbajtur në ambientet e “ArTurbinës” që prej fillimit të pandemisë. Mirëpo për shkak të aksidentit të aktorit protagonist Lulzim Zeqja, Teatri Kombëtar bëri me dije që shfaqja do të anulohej dhe tashmë pas kësaj pauze, komedia “Edmond” është rikthyer. Një histori argëtuese, me nota komike dhe dramatike, që tregon se si Edmond Rostand, krijoi një nga kryeveprat botërore të letërsisë dhe artit skenik, “Cyrano de Bergerac”.

Kjo shfaqje me 85 skena ka një ritëm të madh, ku aktorët luajnë disa personazhe, duke realizuar një shfaqje brenda shfaqjes. Historia e treguar me vargjet e Siranoit  vjen nën interpretim të aktorëve; Lulzim Zeqja, Vasian Lami, Arben Derhemi, Laert Vasili,  Helidon Fino, Luli Bitri, Genci Fuga, Myzafer Zifla, Besmir Bitraku dhe Ilirda Bejleri. Janë dhe 4 data të mbetura të shfaqjes nga sot deri me 3 prill. Për më shumë na flasin Arben Derhemi dhe Indrit Çobani në “Wake Up”…

Komedia “Edmond”, një shfaqje brenda shfaqjes që vjen nga çifti regjisorial Indrit Çobani dhe Andia Xhunga. Indrit si ka qenë për ju realizimi i kësaj shfaqje? Kur dhe si nisi e gjitha?

Indrit: Në fakt çdo hap drejt krijimtarisë është sfidues. Janë hapa drejt së panjohurës. Tirana është një qytetet shumë i madh dhe mund të përballojë një kalendar të madh shfaqjes. Për sa i përket “Edmond”, një numër i madh skenash por pak aktorë, është shumë qejf. Të jep mundësinë të fluturosh me imagjinatën tënde.

Po Arben Derhemi në cilin rol është gjetur më mire? Si iu duk kjo eksperiencë?

Arben: Në të pesta rolet ishte një kënaqësi e madhe të punoje.  Nga një anë unë nuk kam pasur shumë eksperienca të tilla, kjo është ndoshta eksperienca më e madhe në këtë kuptim. Është sa e vështirë, aq dhe e bukur. Karakteret dhe personazhet çdo ditë vijnë dhe përmirësohen, kjo është e bukura e teatrit.

“Edmond” është një shfaqje me 85 skena dhe me shumë ritëm e cila zgjat rreth 2 orë e 10 minuta. Si është të kesh nën kontroll kaq shumë dinamika?

Indrit: Shfaqja ka shumë ritëm dhe brenda 1 minute ata që dalin kanë po aq intensitet sa ata që janë në skenë. Sepse prapaskene janë duke u ndërruar në personazhin e rradhës.

Një shfaqje që ka pasur sukses në të gjithë botën dhe suksesi është dukur edhe në Shqipëri, por çfarë bën të veçantë komedinë “Edmond” sipas jush?

Indrit: Shfaqja ka fitur 5 çmime “Molier”, është krenaria francize… Përveç se është shumë e kushtueshme. Kluturalisht është shumë interesante. Është vënë në shumë skena dhe jemi të lumtur që po e vëmë edhe ne në skenë.

Një shfaqje që u ngjit në skenë pas një pazue të gjatë të pandemisë. Si e priti publiku këtë rikthim përgjatë këtij muaji, si ka qenë interesi i tyre?

Arben: Në krahasim me shfaqjet e tjera, publiku e ka pëlqyer shumë. Nuk iknin nga salla. Por duhet të veprojnë dhe institucionet që kjo vepër të mos shuhet. Njerëzit vijnë të gëzuar sepse e dinë që shfaqja është e gëzuar dhe ikin të lumtur.

Më shumë