Një film horror tajvanez i titulluar “Incantation” është bërë befas një hit viral në TikTok, duke bërë që përdoruesit të sfidojnë njëri-tjetrin për të parë filmin e frikshëm. Me regji të Kevin Ko, filmi u publikua në Netflix në fillim të muajit që lamë pas dhe tregohet kryesisht përmes pamjeve të publikuara, të ngjashme me filmat si “The Blair Witch Project” dhe “REC”.
“Incantation”, i cili tashmë është bërë filmi horror me fitimet më të larta të të gjitha kohërave në Tajvan, që u shfaq në kinematë në vendin aziatik vitin e kaluar, flet për një grua që duhet të mbrojë vajzën e saj, pasi ajo mallkohet për thyerjen e një tabuje fetare. Filmi, i cili ka një vlerësim prej 63 % në Rotten Tomatoes, thuhet se ka grumbulluar më shumë se 10 milionë orë shikime në Netflix, ndërsa ky numër duket se do të shtohet me rritjen e trendit në TikTok.
Trendi nisi pasi njëri nga përdoruesit e rrjetit social, realizoi një video për filmin që tashmë është shikuar më shumë se 13 milionë herë. Në klip, ai thotë:
Nuk më intereson se sa i fortë mendoni se jeni, nuk ka asnjë mënyrë që ta shikoni gjithë filmin nga fillimi në fund pa anashkaluar të paktën një skenë, pa u trembur apo pa hequr shikimin, për shkak se sa të rënda këto skena janë. Ejani dhe më thoni se kam të drejtë pasi ta shikoni.
Shumë përdorues në TikTok tani po sfidojnë veten dhe po përpiqen të shikojnë të gjithë filmin, i cili zgjat vetëm 1 orë e 51 minuta, pa anashkaluar asnjë skenë. Duke gjykuar nga reagimet, filmi i lë njerëzit mjaft të traumatizuar.