Art

“Udhëtarë francezë në Ballkan e Orient”, hapet ekspozita me veprat udhëpërshkruese të francezëve në Ballkan

Megi Daci
14/11/2022

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ekspozon për herë të parë për publikun koleksionin e rrallë të veprave udhëpërshkruese të udhëtarëve francezë në Ballkan.
Ekspozita “Udhëtarë francezë në Ballkan e Orient” u çel sot nga drejtori i BKSh-së, z. Piro Misha, dhe nga Zv/Ministrja e Kulturës, znj. Meri Kumbe, me pjesëmarrje të veçantë nga përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, studiues, shkrimtarë, përkthyes, publicistë, studentë etj.
BKSh numëron në fondet e saj një koleksion të rëndësishëm të udhëpërshkrimeve të udhëtarëve francezë në vende të ndryshme të Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë. Rreth 700 njësi bibliotekare, si: antikuarë, harta, botime me karakter albano-balkanologjik etj., që përbëjnë pasuri me vlera të mëdha për thesarin e kulturën shqiptare e më gjerë, një pjesë e të cilave nuk njihen nga publiku i gjerë. Nëpërmjet kësaj ekspozite synohet paraqitja e një pjese të botimeve të udhëtarëve francezë në Levant, Ballkan, Bullgari, Kostandinopojë, Greqi, Shqipëri etj. Një vend të veçantë zënë edhe përkthimet e disa botimeve në gjuhën shqipe. Kjo ekspozitë shoqërohet me ilustrime/riprodhime nga materialet bibliotekare të ekspozuara, si: veshje karakteristike shqiptare të zonave të ndryshme të Shqipërisë dhe të vendeve të ndryshme të Ballkanit, ceremoni të ndryshme festive, pamje qytetesh, pamje panoramike shqiptare ose ballkanase, portrete të personaliteteve francezë, të dhëna statistikore, harta etj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Katin I të Bibliotekës Kombëtare.

Më shumë