Pasi biletat e datës 19 maj u shitën të gjitha, Shpat Deda ka një lajm të mrekullueshëm për ndjekësit e tij!
Shpat Deda është këngëtar dhe autor këngësh i njohur. Në moshën 18- vjeçare, Shpati shkoi për studime për biznes në Bullgari dhe atje arriti të bëhej pjesë e grupit “Quiet Hours”. Gjatë kohës së Universitetit, ai pati mundësi të realizonte krijimet e tij të para. Prezantimi i tij si këngëtar për publikun e gjerë ka ndodhur pikërisht ne emisionin “Unplugged”në Top Channel. Më pas prezantohet në ‘Top Fest 5’ dhe triumfon me çmimin “Best New Artist”. Kënga e tij “Ënderroj” u kthye në një hit. Shpat Deda, një emër që të gjithë e njohin dhe e admirojnë sepse arriti të hyjë në brendësinë e çdo të riu që sot e duartroket dhe buzëqesh apo ndjen kur ai përcjell tek ata tingujt e muzikës me kitarë që i krijon vetë.
Histori dashurish pa fund kanë Shpat Dedën në sfond. Mes zjarrit të shkëndijave të para, oqeanit të dashurisë që rritet, dhe lotëve të humbjes, kënga e Shpat Dedës jehoi në një brez të tërë. Ninullë e përjetshme. Shkëndijë e shëndritshme. Ëndërr që nuk mbaron.
Bashkë me mjeshtrin dhe multi-instrumentistin e shquar Visar Kuçi dhe me producentin e njohur Tomor Kuçi, ai vjen me një format krejtësisht të ri për ta sjellë poezinë e tij të gërshetuar me një përvojë bashkëkohore për herë të parë për publikun e gjerë tiranas. Aranzhuar enkas për këtë program mes fizharmonikës, violinës, kitarave dhe zërit, këngët e tij marrin jetë të re në një spektakël muzikor të karakterizuar nga eksperimentimi muzikor dhe thellimi në emocion dhe poezi.
Unik dhe origjinal, ai lajmëroi se do të kthehet ta vazhdojë historinë e dashurisë me Tiranën më 19 maj në një udhëtim të paharrueshëm nëpër fjalë e tinguj. Koncerti i artistit do të vijë gjithashtu dhe në “A Live Night”, në Top Channel dhe Top Albania Radio.
Por një lajm i keq për ndjekësit e tij erdhi pasi Shpati tregoi se të gjitha biletat e këtij koncerti ishin të gjitha të shitura. Por, mos u mërzisni! Artisti do të zgjasë koncertin e tij edhe me një ditë, datë 20 maj, ditë e shtunë dhe tanimë do të keni mundësi të blini biletat tuaja ne vivere.al ose në një nga pikat e Easypay.al kudo në Shqipëri.