“Everything, Everywhere, all at once” mes kaosit tregohet një histori e papritur dashurie. Kritikë.

Ledion Liço
11/05/2023

Dy muaj më parë ky film rrëmbeu tre trofetë [më] të rëndësishëm në ceremoninë e Çmimeve Oscar, ndër to edhe atë të ‘Filmit më të mirë të vitit’. Po me çmim u vlerësuan edhe regjisorët Daniel Scheinert dhe Daniel Kwan të cilët njihen (tashmë) gjërësisht si Daniel-ët. Në filmin e tyre debutues “Swiss Army Man”, Hank (Paul Dano) dhe shoku i tij kufoma Manny (Daniel Radcliffe) një këngë thoshte:

Duhet të kujtosh se jemi të gjithë këtu për një arsye dhe se universi zgjedh kohën kur përplasemi. Çdo gjë, kudo, ka rëndësi për cfarë do! (Everything, everywhere matters to everything)

Kjo temë e prekur shkarazi në këtë film është mantra e filmit të tyre më të fundit “Everything, Everywhere, all at once“, një lëmsh-e-li multiverses (mesa duket nuk ka vetëm një), me mundësi të pafundme dhe krijimtari të pamatë. Regjisorët ia dalin t’i japin shikuesit përmes një vizioni unik gjithçka, kudo, përnjëherësh.

Heroina e filmit është Evelyn Wang (shkëlqyesja Michelle Yeoh), e cila përpiqet të çojë përpara një biznes pastrimi krah të shoqit, tej-optimistit Waymond (fantastiku Ke Huy Quan). Takimi ynë i parë me Wang është teksa gjëndja e saj është e rënduar, psikologjikisht, rrethuar nga streset e një biznesi në audit, nën një pirg faturash, një bashkëshort që duket nuk e kupton, një baba fanatik, e në një moshë të thyer (James Hong). Gjërat bëhen edhe me keq kur i duhet të ulet në tavolinën e zyrës së auditueses së tatimeve Diedre (një Jamie Lee Curtis tejet argëtuese), e cila e akuzon Wang për pastrim parash në biznesin e saj. Po aq marrëdhënia e saj me të bijën Joy (Stephanie Hsu), në moshën e adoleshencës është komplet jo-funksionale.

Jeta e zakonshme që Evelyn bën është aq pasojë e zgjedhjeve të saj sa ç’është edhe e diktuar nga fati. E pikërisht këtu Evelyn zbulon multi-versin, mundësitë e pafundme të së cilit e çojnë atë të zbulojë të vërtetën për jetën e saj duke u përballur me të ligën një herë mirë (në këtë rast i keqi quhet Jobu Tupaki, i aftë për të shkatërruar multi-versët) në një nga universet në kokën e saj, si edhe me atë që i druhej në jetën e universit që ndan me ne.

Çdo gjë që mund ta kishit imagjinuar është xhiruar nga dyshja e regjisorëve. “Everything, Everywhere, All At Once” ka nga të gjitha – nga gishta si salçiçe – literalisht, tek skena që të kujtojnë Wong Kar-Wain, tapa për menderen (duhet të shihni filmin për ta kuptuar më mirë), gurë që flasin, rakunë, e nuk kujtoj dot çfarë tjetër dhe të gjitha këto janë të lidhura në mënyrë gjeniale me njëra-tjetrën. Kjo e bën filmin briliant! Mes të gjithë rrëmujës ti arrin të kuptosh thelbin, qartë, pa keqkuptime, aq sa asgjë të mos të duket më e rrëmujshme. Kjo i bën regjisorët të dallojnë nga të tjerët.

Yeoh, Quan dhe Hsu përmes lojës së tyre mbajnë logjikën e kësaj narrative të komplikuar në mënyrë perfekte. Me kaq shumë ndryshime karakteresh, në rrethana që nuk i ngjajnë aspak njëra-tjetrës, në një çmenduri totale, ata ja dalin që të jenë, gjithçka kudo përnjëherësh. Performanca e tyre e çon historinë absurde në kufijtë e budallallëkut njerëzor paralelisht me shprehjen e plotfuqishme e të qartë të ndjenjave më universale e më të rëndësishme për njerzit.

Pyetja që Danielët shtrojnë në këtë film është:

Në një realitet ku gjithçka është mundur, çfarë ka vërtet rëndësi?!

Spektri i ndjesive të përshkruara në film shkon nga A-ja tek Zh-ja për një kohë shumë të shkurtër; nga dëshpërimi i depresionit tek shpresa për dashuri dhe mirëkuptim. Filmi që morri 6 vite për të përfunduar është i rrallë, frymëzues, tejet interesant e i papritur. E nëse për filmin e rradhës të Danielve duhet të presim 6 vite të tjera, kam bindjen që pritja do t’ia vlejë.

Më shumë