Art

“Medalioni i hënës” në Torrën Veneciane

Megi Daci
10/07/2023

Performanca teatrale “Medalioni i hënës” bën bashkë aktorë të njohur. Me ide dhe regji nga Driada Dervishi mbrëmjen e 11 korrikut në Torrën Veneciane në Durrës shfaqet “Medalioni i hënës”, që është një eksperiencë unike për të shijuar vargjet e Ismail Kadaresë, që vijnë me zërat e aktorëve të mirënjohur të skenës e filmit shqiptar Yllka Mujo, Ndriçim Xhepa, Olta Daku, Xhelal Tafaj, Arben Derhemi dhe Anila Bisha. Regjisorja Driada Dervishi tregon se në qytetin e Durrësit performanca që ajo ka përgatitur me aktorët shfaqet për herë të parë për publikun. “Copëza nga poezi të Kadaresë të trajtuara si dialog teatral dhe etyde koreografik dhe muzikor. “Medalioni i hënës” është një performancë teatrale dhe shfaqet në Durrës për herë të parë për publikun”, tregon regjisorja. Mbrëmja e datës 11 korrik do të sjellë para publikut disa prej artistëve më të njohu të teatrit dhe kinemasë shqiptare, ku nuk do të mungojë edhe muzika.

Tekstet kadareane

Mbrëmjen e së martës “Medalioni i hënës” në Torrën Veneciane do të sjellë për publikun artistët e njohur, të cilët nën drejtimin e regjisores Driada Dervishi janë pjesë e kësaj performance. Një festë e teksteve më të bukur kadareane të sjellë në këngë nga Vikena Kamenica shoqëruar në flaut Daorsa Dervishi e në kitarë Arbër Çerri. Nën tingujt e dy mjeshtrave, kompozitorëve Haig Zacharian e Endri Sina vjen muza e dansit Vanesa Barushi. Balerinë Vanesa Barushi, koreografia Joli Eleni Gjovreku. “Medalioni i hënës” është realizuar me ndihmën e Ministrisë së Kulturës si dhe me mbështetjen e teatrit “Aleksandër Moisiu”, Qendra Muzeore Durrës. Në aktivitetin e saj me teatrin si regjisore Driada Dervishi ka sjellë për publikun shfaqje të ndryshme, por gjatë këtij sezoni veror në Durrës do të shfaqen dhe të tjera vepra teatrore të saj. Gjatë netëve të muajit gusht do të jetë në Amfiteatrin e Durrësit shfaqja  “Vanja, Sonja dhe Masha”, po ashtu pritet që Teatri Kombëtar të jetë në Durrës me një tjetër vepër të regjisores, “Ferma e kafshëve” po në Amfiteatër. Regjisorja Driada Dervishi fillon punë në vitin 2004 në teatrin profesionist “Aleksandër Moisiu”, duke ftuar herë pas here dhe aktorë të njohur të skenës teatrore. Ajo ka realizuar vepra të ndryshme, që janë mirëpritur nga publiku dhe vlerësuar me çmime në festivale. Në aktivitetin e saj përmendim mbi 27 premiera teatrore. Regjisorja Dervishi ka realizuar dhe bashkëpunime me teatro të tjerë, por është e para regjisore që solli në Amfiteatrin e Durrësit një komedi nga William Shakespeare, “Ëndrra e një nate vere”, “Binjakët” (Menehmët) nga Plauti dhe “Martesa” nga Çehov. Që prej vitit 2020, ajo mban titullin “Doktore e Shkencave”, e mbrojtur me temën: Regjisura në dramën shqipe

Më shumë